Buxhetit humbi 281,2 mln euro nga pandemia në 2020! Ministria e Financave: Rënia më e fortë te tatimi mbi fitimin dhe tatimi i të ardhurave personale

11 Shkurt 2021, 14:59| Përditesimi: 11 Shkurt 2021, 17:31

  • Share

Pandemia COVID-19 dhe mbyllja e aktivitetit ekonomik ka dhënë ndikim tepër negativ në mbledhjen e të ardhurave. Buxheti i shtetit në vitin e pandemisë ka humbur 34,7 miliardë lekë ose 281,2 milionë euro krahasuar me vitin 2019.

Në total sipas Ministrisë së Financave janë mbledhur 425.6 miliardë lekë, nga 446,5 miliardë që u parashikua në aktin e 3 normativ duke regjistruar një rënie prej 20.9 miliardë lekësh. Por rënia e të ardhurave është më e thellë nëse i krahasojmë ato me pritshmëritë fillestare për buxhetin e 2020.

Ministria e Financave pati parashikuar që të mblidhen 509.6 miliardë lekë në vitin e kaluar, por në fakt janë arkëtuar 84 miliardë lekë ose 680,9 milionë euro më pak. Rënia më e lartë është regjistruar tek të ardhurat tatimore, të cilat u tkurrën me 7.2%.

“Të ardhurat tatimore u mblodhën 219 miliardë lekë, 17 miliardë ose 7.2% më pak se viti i kaluar”, thuhet në raportin e ministrisë së financave.

Konkretisht të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë ulur 22.5% si pasojë e shtyrjes së kësteve të pagesës së kësaj takse për bizneset. Ndërsa nga Tatimi mbi të ardhurat personale u mblodhën 37 mld lekë, ose 19.7% më pak se viti 2019.

Nga ana tjetër shpenzimet në vitin e kaluar u rritën me 9 % për të përballuar nevojat e krijuara nga pandemia COVID-19. Në total shpenzimet arritën në 536.3 miliardë lekë ose rreth 44.4 miliardë lekë më shumë se në vitin 2019.

Përpos kësaj rënie tek të ardhurat qeveria përsëri është optimiste për recesionin e vitit të kaluar, nga -6.1% që ishte parashikimi është ulur në -4.4%, ndërsa për këtë vit priten më shumë të ardhura dhe 5.5% rritje ekonomike.

TË ARDHURAT NË 2020

Plani                          446,5 mld lekë

U mblodhën              425.6 mld lekë

Diferenca                   -20.9 mld lekë

TË ARDHURAT

Viti 2019                460,3 mld lekë

Viti 2020                425.6 mld lekë

Diferenca                -34,7 mld lekë

PARASHIKIMET PËR 2020

Buxheti fillestar                  509.6 mld lekë

Të ardhurat reale              425.6 mld lekë

Diferenca                         - 84 mld lekë

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?