Buxheti 2015, qeveria dorëzon
draftin, Kuvendi dëgjesa publike

3 Nëntor 2014, 09:09| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Mëngjesin e kësaj të hëne, qeveria i dorëzoi Kuvendit projektbuxhetin e shtetit për shpenzimet e vitit 2015. Ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, e cila dorëzoi draftin pasi u miratua në mbledhjen e qeverisë të mbajtur pasditen e të dielës.
 
Pasi Konferenca e Kryetarëve t’i hapë zyrtarisht rrugë diskutimeve në Komisionet Parlamentare, pritet që projektbuxheti të miratohet brenda vjeshtës, në mënyrë që të vihet në “jetë” në fillim të Janarit të vitit 2015.
 
Sakaq, brenda kësaj kohe, drafti i buxhetit të shtetit do të ketë kohën e majftueshme për t'u diskutuar jo vetëm nga deputëtët e komisioneve parlamentare, por edhe nga grupet e interesit të cilat pritet të japin rekomandimet e tyre.

"Qeveria i jep mundësi Parlamentit nëpërmjet dëgjesave publike të marrë vendime me qëllim përmirësimin e projektit", tha minsitrja Felaj.

Do të jetë ministri i Financave Shkëlqim Cani ai që do të prezantojë në Konferencën e Kryetarëve përmbajtjen e projektbuxhetit dhe të paketës fiskale, në po të njëjtën mbledhje që do të përcaktohet edhe kalendari për shqyrtimin e tij në komisionet parlamentare.
 
Një ditë më parë në një mbledhje jashtë rradhe qeveria miratoi projektbuxhetin për vitin 2015. Buxheti i këtij viti është parashikuar të jetë më i madhi nga vitet e ardhshme dhe kap vlerën e 470 miliardë lekëe ose 4.7 miliardë dollarë. Qeveria ka parashikuar që rritja të jetë rreth 3 % ndërsa ka premtuar se do të ketë rritje të të ardhurave. Shtesa në këtë projektbuxhet është bërë nga lufta kundër evazionit fiskal dhe mbledhja e taksave.

Deklarata e plote e ministres Felaj
Neni 158 i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton një detyrim të qartë për Qeverinë, paraqitjen në Kuvend brenda sesionit të vjeshtës, të projektligjit për Buxhetin e Shtetit. Sesioni i vjeshtës nuk mund të mbyllet pa miratimin e projektbuxhetit të shtetit, kështu shprehet Kushtetuta. Pra, Qeveria, nga njëra anë dhe Parlamenti, në anën tjetër, si rrallë herë më parë, këtë herë bashkëveprojnë për të plotësuar jo thjesht formalisht një kërkesë të Kushtetutës, por, më së pari, një detyrim përkundrejt qytetarëve dhe institucioneve të këtij vendi, që ndryshe nga sa më parë meritojnë të buxhetohen në kohën dhe në mënyrën e duhur për nevojat e tyre financiare.

Buxheti i Shtetit, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përfshin të gjitha shpenzimet e shtetit dhe ju e kuptoni sesa i rëndësishëm është shfrytëzimi i kohës për të vendosur sëbashku me institucionet, me personat ose grupet e interesuara, se sa dhe si do të shpenzohet në vitin 2015, si do të mund t’i përdorin, me sa më shumë efektivitet, të ardhurat e mbledhura prej taksave, tatimeve dhe detyrimeve të tjera financiare gjatë këtij viti, për të vijuar me investime të rëndësishme në arsim, në shëndetësi, në bujqësi dhe në infrastrukturë.

Miratimi buxhetit 2015 brenda sesionit të vjeshtës do të thotë që ky buxhet, ndryshe nga sa më parë, të bëhet aktiv që në fillim të muajit janar 2015. Qeveria, duke dorëzuar projektligjin për buxhetin brenda afatit kushtetues, i jep mundësi Parlamentit, që brenda një kohe tërësisht të arsyeshme, nëpërmjet dëgjesave publike të marrë mendime, vërejtje nga institucionet dhe publiku, me qëllim përmirësimin e projektit dhe konsolidimin e tij.

Në ditët në vijim, konform rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neneve, si 78 dhe vijues, do të zhvillohet Konferenca e Kryetarëve, në të cilën do të prezantohet përmbajtja e projektligjit për Buxhetin, sëbashku me paketën fiskale. Ky prezantim do të bëhet nga Ministri Financave dhe më tej do të vendoset edhe për kalendarin e veçantë të punimeve në komisionet e përhershme parlamentare dhe në seancë parlamentare. Dhënia e mundësisë, grupeve të interesit dhe e zgjedhësve për t’u përfshirë në diskutimin e projektbuxhetit, është konfirmim i shpënies deri në fund të angazhimeve që Aleanca jonë për Shqipërinë Europiane ka marrë përkundrejt qytetarëve shqiptarë

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?