Bursa për degët prioritare, rektori i Universitetit Bujqësor: Ka paragjykime për këto profesione, por të sigurojnë vendin e punës! Diplomat njihen në të gjithë botën

30 Qershor 2023, 21:06| Përditesimi: 30 Qershor 2023, 21:20

  • Share

Rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku i bëri thirrje të rinjve që të mos nisin jetën nga e para duke emigruar jashtë vendit për studime kur ka shumë mundësi në vendin tonë. Në një intervistë për Report Tv në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj u shpreh se pritet që të shtohen numri i studentëve që aplikojnë për degët prioritare në një kohë kur hiqet edhe kriteri i mesatares 8.5.

Sallaku tha se ata që zgjedhin programe të domosdoshme marrin bursë sa paga minimale nga qeveria si dhe i garantojnë vetes vendin e punës. Megjithatë u shpreh se ka skepticizëm për këto degë.

“Çdo i ri që preferon të aplikojë për programet e studimit si agronomi, zootekni, peshkim, mbrojtje bimësh, inixhineri pyjesh, teknologji ushqimore, pra janë programe që janë të domosdoshme dhe kanë të garantuar vendin e punës. Çdo i ri që vendos të aplikojë për këto programe përfiton mbështetje financiare të barabartë me pagën minimale në Shqipëri plus nuk paguan tarifën e studimit. Ka skepticizëm për këto profesione se do të thotë të punosh në bujqësi, blegtori e ferma. Nëpërmjet këtyre masave, ajo që të rinjtë duhet të dinë është se Universiteti Bujqësor është në periudhën më të mirë”, tha Sallaku.

Po ashtu, rektori shtoi se diplomat e Univeristetit Bujqësor njihen në të gjithë botën dhe tani po punojnë që të merren diploma të njëjta me Universitetet europiane.

“Diplomat e Universitetit Bujqësor njihen në çdo cep të botës dhe veçse garantimit të njohjes në çdo Universitet, garantojnë punësim të suksesshëm e të sigurtë. Interesi i maturantëve s’ka qenë shumë i lartë.  Aktualisht kemi 5 diploma të përbashkëta me Universitetin e Viterbos në Itali. Po ashtu jemi në një marrëveshje të drejtpërdrejtë me Universitetin e Vienës dhe synojmë që në 4-5 vite të shndërrohet në të njëjtën me të. Pra të rinjtë s’kanë pse udhëtojnë nëpër botë kur mund të marrin 2 diploma këtu”, tha Sallaku.

Për sektorin e bujqësisë, Sallaku tha se studentët e degëve prioritare arrijnë të gjejnë vende pune deri në 3-4 javë pas diplomimit ndryshe nga ata që zgjedhin degë që i cilëson të tejmbushura si juridiku apo financa.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?