Burimi kryesor i informacionit gjatë perandorisë së Habsburgëve, ‘ditë e errët’ për një nga gazetat më të vjetra në botë

28 Prill 2023, 17:09| Përditesimi: 28 Prill 2023, 17:13

  • Share

Parlamenti i Austrisë ditën e djeshme vendosi t’i japë fund shtypjes së njërës prej gazetave më të vjetra në botë.

“Wiener Zeitung” tashmë do të jetë vetëm në versionin online. Shkak për vendimin e marrë është hapi i fundit i një mosmarrëveshje shumëvjeçare mes qeverisë austriake dhe gazetës.

E themeluar në 1703 me emrin Wiennerisches Diarium, dhe më vonë e riemëruar Wiener Zeitung në 1780, gazeta dikur private u shtetëzua nga perandori Franz Joseph I i Austrisë në 1857, duke u bërë gazeta zyrtare e vendit gjatë monarkisë së Habsburgëve.

Në vitin 2021, koalicioni qeverisës vendosi që gazeta, në pronësi të qeverisë austriake, të ndalonte publikimin e reklamave të kompanive, e cila ishte burimi kryesor i financimit të saj.

“Gazeta ka më shumë lexues mbi moshën 90 sesa nën 30,” tha Ministrja e Familjes dhe Medias Susanne Raab e Partisë Konservatore Popullore Austriake.

Shkrimtarja austriake dhe fituesja e çmimit Nobel, Elfriede Jelinek dhe artisti André Heller janë disa nga njerëzit e shquar që u përpoqën të ruanin botimin e shtypur. Përfaqësuesit e opozitës e kritikuan vendimin sepse mendojnë se varfëron hapësirën mediatike.

“Është një goditje për politikën dhe kulturën mediatike,” tha nënkryetari i Partisë Social Demokrate (SPÖ), Jörg Leichtfried.

Zbatimi i vendimit do të nisë që nga data 1 korrik.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?