Ylli Pata: Bumerangu i tymit politik që nisi nga Tik Llalla

20 Nëntor 2023, 18:23| Përditesimi: 20 Nëntor 2023, 18:27

  • Share

Deputeti Nallbati ndoshta se di, ka mundësi edhe Saljanji, por tymi në Kuvendin e Shqipërisë, ka nisur për të mbajtur në postin e Kryeprokurorit Adriatik Llallën. Bëhet fjalë në dhjetorin e vitit 2017, kur Lulzim Basha nuk ishte armik, e mandatet nuk ishin djegur. Por situata ishte pak a shumë kështu; vonesa në zgjedhjen e KLP-së Këshillit të Lartë të Prokurorisë bëhet fjalë, kërkonte një zgjidhje. Pasi KLP do të zgjidhte SPAK. Amerikanët e OBDAT dhe europianët thanë: zgjidhni një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. 

Adriatik Llallës i mbaronte mandati por PD dhe LSI kërkoi që të zgjdhte Tikun si PPP. Mazhoranca tha jo. E aty nisi sherri. Madje edhe në panele. Llalla solli stresin, gishtin e mesit, ndarjen në panele e ndarjen e deputetëve. Por në fund, Tiku nuk zgjidhej më. U zgjodh Arta Marku. Në atë seancë u dogj Kuvendi me flakadanë dhe çizme që Monika Kryemadhi i hodhi Edi Ramës. Siç i hodhi sot Flamur Noka po Edi Ramës.

Po në thelb si çizmja e Monikës, si flakadani i sotëm, nuk i drejtohej Edi Ramës. Por opozitës. O të mbrojmë Berishën e Metën o s’ka opozitë. Si s’ka? S’ka! Si do bëjmë? Ça do bëjmë s’kemi ç’bëjmë në parlament! Të djegim mandatet? Po i djegim o burrë ca na duhen! E mirë. i dogjëm!

Po pse atëherë Lulzim Basha është fajtor në djegien e mandateve, kur ai, i shkreti, ndoshta edhe i futi në kurth, por i tha si mendoni? Sepse si Sali Berisha si Ilir Meta nuk kanë më alternativë e strategji, ata mendojnë vetëm një taktikë s itë ndalojnë SPAK. Qoftë me bomba, qoftë me tymuese. Por a e ndalojnë dot? SPAK jo, por duan të mbajnë në linjë një grup mbështetësish, që më shumë se votues, janë ndjekës, qoftë edhe në Tik Tok.

Logjika e bombave tymuese nuk është e re, u përdor edhe nga Albin Kurti, Ramush Haradinaj, kur ishin në opozitë me qeverinë e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit. Por ata kishin një kauzë, më saktë dy. Demarkacioni dhe Zajednica. Demarkacionin e miratoi Ramushi sa erdhi në qeveri dhe Zajednicën Albin Kurti e bëri më autonome se Isa. Bombat ju kthyen në një bumerang që sipas të gjitha gjasave, Vetëvendosje nuk ka më kauzë politike në Kosovë dhe është një kufomë në kuptimin e plotë të fjalës. Po këto që hedhin bomba në Kuvendin e Shqipërisë çfarë kauze kanë?/ Tema

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?