Bullizimi dhe gjuha e dhunës në rrjetet sociale, Balla: Po ngrihen struktura të posaçme kundër krimeve online! Qytetarët të denoncojnë

26 Shkurt, 15:08| Përditesimi: 26 Shkurt, 15:21

  • Share

1708957276_taulantballa.jpeg

Ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili mori pjesë në aktivitetin “Rinia 2030” të mbajtur sot në Tiranë renditi disa prej politikave të ndërmarra sa i takon sigurisë së të rinjve si nënvizoi disa prej problemeve me të cilat përballen të rinjtë sot, bullizimi dhe gjuha fyese në rrjetet sociale.

Teksa theksoi se paketa e sigurisë në shkolla do të kalojë një nivel tjetër në të gjithë qarqet e vendit, Balla tha se gjithashtu po ndërmerren hapa për një qasje të re ligjore kundër shkeljeve digjitale.

“Bashkimi Evropian ka iniciuar dy akte që lidhen me sigurinë digjitale dhe tregjet digjitale dhe na mjaftuan disa episode tragjike të dhimbshme, për sa  i përket rrjeteve sociale, për t’u zgjuar të gjithë dhe për të kërkuar edhe përgjegjësi, edhe pse nuk duhet të harrojmë asnjëherë se çfarë kemi bërë secili prej nesh për ta adresuar dhe më shumë se kaq  për të njoftuar organet ligjzbatuese. Në rrjetet sociale në një pjesë të madhe prej tyre ka sot një gjuhë të papranueshme dhe ka shumë raste, të cilat frymëzojnë dhunën, frymëzojnë përdorimin e lëndëve narkotike, frymëzojnë bullizimin, madje përdoren rrjetet online për një formë të ndryshme të krimeve online”- tha ministri.

Duke u përqendruar në këtë pjesë, Balla tha se policia po mundohet të ngrejë struktura të cilat ende janë në fazë konsolidimi por nënvizoi domosdoshmërinë e denoncimit të rasteve të dhunës në rrjetet sociale.

“Dhe  tek krimet online, Policia e Shtetit është munduar të ngrejë disa struktura të cilat janë natyrshëm në një fazë konsolidimi, por ajo që duhet të bëjmë më mirë është që gjithë shoqëria duhet të paktën të solidarizohet duke i raportuar këto raste dhune, dhe e vërteta është që këto do vijnë gjithmonë dhe më shumë duke u shtuar, flas për dhunën online, në forma nga më të ndryshmet”- shtoi ai.

Sa i takon luftës kundër përdorimit të lëndëve narkotike nga nxënësit, ministri tha se Shqipëria do të jetë pjesë e një koalicioni ndërkombëtar kundër drogës që së shpejti do të institucionalizohet në aleancë me ministrinë e Shtetit për Rininë dhe ministren e Arsimit dhe Sportit.

“SHBA na ka ftuar të bëhemi pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër drogës. E patjetër do të jemi pjesë aty! Po e them sot, në këtë takim të iniciuar nga Ministrja e Shtetit për Rininë, që shumë shpejt, bashkë me Ogertën, do t’ju ftojmë në një takim tjetër pikërisht për ta institucionalizuar këtë lloj aleance, koalicioni, si të doni ta quajmë. E rëndësishme është të rrisim sa më shumë ndërgjegjësimin e gjithkujt përmes kurrikulave arsimore, e gjithçkaje tjetër që droga të dëmton!”- tha ministri mes të tjerash.


Lajmi kryesor:

Muzhaqi: Nga ky vit, mbështetje financiare për të rinjtë që marrin pjesë në praktikat e punës! 'Bilanci' i Strategjisë për Rininë


B.V/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?