Periferi

BTS dhe mesazhet e mirësjelljes

31 Korrik 2019, 21:06| Përditesimi: 1 Gusht 2019, 19:20

  • Share

A do të arrijë mirësjellja të fitojë zemrat e shumicës së njerëzve që popullojnë planetin tonë? Eshtë një dëshirë e madhe e shprehur në mijëra vite nga njerëz të ndriçuar, por që urrejtja e të tjera vese njerëzore, nuk kanë lënë shumë hapsirë për mirësjelljen dhe për dashurinë në formën më të pastër e të lartë të saj.

Duket sikur mesazhe të forcës së brishtësisë, të forcës së fjalëve të matura e të mira, janë ende bulëza vese mbi bar, por pavarësisht kësaj, në botë, gjërat po ndryshojnë. Duke parë më të rinjtë, duke vëzhguar tendencat më të fundit në muzikë, në art, rastësisht u njoha me fenomenin botëror të grupit koreanojugor BTS, Bangtan Sonyeondan që do të thotë pak a shumë “djemtë boyscout antiplumb”. Eshtë një grup k-pop

që nisi debutin e tij në vitin 2013 dhe nën tendencën e përgjithshme të atyre viteve të muzikës dhe artit pesimist; kënga e parë me të cilën debutuan qe “No more dream” ishte perfekt me stilin dhe rrymën e kohës. Shtatë të rinjtë që përbëjnë grupin ishin të trukuar si “të fortë”, “të këqinj”, “të tmerrshëm”. Si në foton poshtë:

Grupi koreanojugor BTS në fillimet e tij ne vitin 2013

Evolucioni i këtyre 7 të rinjve sot ka ndyshuar. Më të rritur, jo vetëm po marrin të gjitha çmimet e mundshme, klasifikimet në Billboard, klikimet dhe pëlqimet me shifra milionëshe, por sot po konsiderohen nga kritika muzikore si të vetmit pas Beatles, që kanë arritur këto rezultate dhe kanë këtë influencë.

Por si janë ata, 7 djemtë BTS në 2019? Të sjellshëm, të kuruar, të qeshur e plot mesazhe për të rinjtë, kundër dhunës në shkolla, për barazinë, për dashurinë, për dashurinë për vetveten e më pas për botën. Në fakt dy ditë më parë mesazhi i tyre në bashkëpunim me UNICEF Korea, në ditën botërore të miqësisë ishte pikërisht kundër dhunës dhe bulizmit mes të rinjve. Love Yourself është një prej albumeve dhe Love Myself mesazhi që përgatitën për të rinjtë kudo në botë, të çdo kombësie e ngjyre. Në pak orë arritën miliona shpërndarje e klikime me siguri edhe në Shqipëri ku ka shumë fansa të BTS gjithashtu kjo video është parë dhe shpërndarë:

Djemtë e dikurshëm “të këqinj” sot janë plot mesazhe pozitive. Fansat e tyre nëpër botë që quhen “ARMY” dëshmojnë se me muzikën e të rinjve jugkoreanë kanë kaluar vështirësi serioze, janë frymëzuar e kanë ecur përpara me forcë e dashuri për veten.

Sot 7 të mrekullueshmit BTS, siç i quajnë, janë kështu: V, Jimin, Suga, J-Hope, Jung-Kook, Jin dhe RM

BTS në 2019

Djemtë e këqinj nuk janë më në modë? Eshtë shpejt ta themi, por një gjë është fakt dhe e sigurtë: Të rinjtë që pëlqejnë mirësjelljen, të bukurën, fjalën e mirë dhe të matur po shtohen përherë e më shumë. Dhe kur mes të rinjve shihen rreze të tilla shkëlqimi, si do të jetë e ardhmja në Botë

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?