Breshkat e tokës shiten nga 60-2000 euro në tregun e zi, specialisti: Ta shohim si trafik droge, është specie në zhdukje! Ligji parashikon penalitete për trafikuesit

26 Shtator 2023, 15:50| Përditesimi: 26 Shtator 2023, 16:04

  • Share

Fugoni i ndaluar në Portin e Brindisit me drejtues shqiptar, brenda të cilit u gjetën dy breshka toke “Testudo Hermanni” me qëllim shitjen e tyre në Itali, ngriti alarmin pasi kjo specie rrezikon të zhduket dhe tregtia e tyre është e ndaluar sipas ligjeve ndërkombëtare që prej vitit 1992 por autoritetet shqiptare nuk tregojnë vigjilencën e duhur. Report Tv u interesua më shumë lidhur me këto raste që mund të  jenë shumë, edhe për faktin se në pikat e kontrollit kufitare shqiptare kalimi i tyre anashkalohet.

“Është një specie e cila është në librin e kuq të specieve të Shqipërisë, rrezikon zhdukjen. Dogana shqiptare si informacion e ka, për këto, sepse kanë një listë dhe një libër çdo doganë në Shqipëri. Nuk mund të them është një anashkalim i qëllimshëm apo jo, por janë të painformuar, të patrajnuar, të papërditësuar. Janë raportuar edhe raste të tjera, mund të them me qindra breshka që tregtohen, nuk është rasti i parë, por është rasti i parë që del në dritën e medias”, thotë Ariel Vasili, specialist për kafshët e egra dhe ekzotike.

Zinxhiri i trafikut të kësaj specie sipas ekspertit Vasili, nis që tek fshatari i thjeshtë i cili e shet në treg të zi për një shumë fare të vogël, e deri tek trafikantët që e nxjerrin jashtë Shqipërisë, kryesisht Itali, me qëllim konsumi. Çmimi i një breshke në treg të zi varion nga 60 deri në 2000 euro një.

“Ja kanë marrë atij fshatarit për 10 mijë lekë të vjetra, e kanë reklamuar sikur është një gjë që mezi e gjen. Praktikisht është një specie në zhdukje. Të shesësh një breshkë për 2000 euro, të shesësh në përgjithësi një specie që mbrohet nga 4 ligje në Shqipëri dhe 10 ligje në vendet europiane, është ilegale, për mua duhet të fillojmë ta mendojmë këtë lloj tregtie si tregtia e drogës. Sepse po flasim për një specie të vogël që bën 2000 euro, është krim”, u shpreh Vasili.

Po çfarë parashikon ligji shqiptar për trafikuesit e kafshëve që cilësohen specie në zhdukje, ndërkohë që shteti italian të dënon me gjobë deri në heqje lirie që shkon 3 vite.

“Me ligjin e ri është lënë në interpretimin e gjykatësit heqja e lirisë, gjithashtu në interpretimin e gjykatësit vendosja e gjobës”, tha Vasili.

Specialisti Vasili shtoi se çifti i breshkave të kapura në Portin e Brindisit duhet patjetër që të rikthehen në habitatin e tyre aty ku janë marrë, por në pamundësi rikthimi në Shqipëri, do të bëhet e mundur edhe përshtatja e tyre në tokën italiane.

Mesatarisht, çmimet e breshkave të tokës (kryesisht foshnjat) në sipas llojit janë:

Testudo hermanni     60/80 euro

Testudo marginata     70/80 euro

Centrochelys sulcata   80/100 euro

Testudo horsfieldi      60/100 euro

Breshkat e rritura që janë në moshën riprodhuese kushtojnë shumë më tepër:

Testudo hermanni mashkull   150/400 euro

Centrochelys sulcata              500/2000 euro

Testudo hermanni femër        300/600 euro

Breshke Horsfield e rritur      300 euro

Testudo marginata e rritur     300/1000 euro

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 27/09/2023 00:33

    Me pare fillohet me konsumatorin,denimi apo edukimi qe te mos e hane duhet filluar me ta.Shqipot nuk kane qene ngrenes breshkash,kjo eshte tradite e vendeve te tilla si Italia e Franca.Po te mos kete konsumatore,nuk ka as treg shitje e shites e trafikante.

    Përgjigju
  • xXx: 26/09/2023 17:33

    Filluan breshkaxhinjte ta nxjerrin koken...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?