Bregu: Opozita si mullinjtë e erës,
Shqipëria kanë nevojë për shpresë

15 Nëntor 2017, 18:17| Përditesimi:

  • Share
Ish-deputetja e PD dhe njëkohësisht ministre e Integrimit Majlinda Bregu ka reaguar pas deklaratave të Mogherinit se viti 2018-të është vendimtar për integrimin e Shqipërisë në BE.

Bregu shprehet se rajoni dhe Shqipëria kanë nevojë të dëshpëruar për shpresë e shtet ligjor, ndërsa sulmon edhe opozitën. “Ballkani Perëndimor nuk mund të qëndrojë përgjithmonë në listë pritje për anëtarësim. Është jetike për një vend si Shqipëria ku opozita vërtitet si mullinjtë e erës; media kontrollohet e të vërtetën e takson si mall luksi; shoqëria civile mblidhet kruspull nga mospërfillja; drejtësia gulçon ngase është e pabesueshme, që negociatat për anëtarësim të çelen mbi bazën e një premisë të qartë: është i vetmi proces që do ketë lupën më të madhe se tepsia e zullumeve”. 

Mogherini tha se Shqipëria duhet të plotësojë kushtet për anëtarësimin në BE. Ajo deklaroi se viti 2018 do të ofrojë mundësi unike për rajonin, por edhe për Shqipërinë.

STATUSI I MAJLINDA BREGUT
Pse Mogherini tha qe 2018 eshte vit unik per Shqiperine dhe rajonin?

1. Ballkani Perëndimor nuk mund të qëndrojë përgjithmonë në listë pritje për anëtarësim, për më tepër kur askush nuk di të thotë veç spekulatorëve, se kur do të ndodhë kjo.

2. Integrimi evropian nuk duhet të jetë skaji i fundëm në debatin për të ardhmen e Europës. Do të ishte përgjegjësi e rëndë sot dhe mëkat historik nesër, nëse proçesi i anëtarësimit të vendeve tona, do të shihet me sytë e zbehtë të bezdisë së tepërt siç shohim dikë që na lutet.

3. Status quo- ja dhe stabilotokracia garanton vetem pasiguri për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe të Europës si kontinent, duke e ekspozuar edhe më shumë rajonin ndaj froneve, flatrave dhe erërave që fryjnë nga stepat.

4. Rajoni dhe Shqipëria kanë nevojë të dëshpëruar për shpresë e shtet ligjor. Është JETIKE për një vend si Shqipëria ku opozita vërtitet si mullinjtë e erës; media kontrollohet e të vërtetën e takson si mall luksi; shoqëria civile mblidhet kruspull nga mospërfillja; drejtësia gulçon ngase është e pabesueshme, që negociatat për anëtarësim të çelen mbi bazën e një premisë të qartë: është i vetmi proces që do ketë lupën më të madhe se tepsia e zullumeve.

Nuk ka moment tjetër Shqipëria më të mirë se sa për të nisur të përballet seriozisht dhe për tu skanuar deri në rrënjë për rropullitë të cilave asnjëherë s' ju del për Zot kurrkush!

Po iku dhe ky shans, të na rrojë tepsia, timoni, buzagazet e gjëra dhe të trasha ne fytyrat maska dhe hajt te mblidhemi të gjithë e të bëjme fletërrufe si njerëz të panxënë se pse Europa reagon për krimet me vonesë dhe pse portat e të ardhmes hapen vetëm para Serbisë e Malit të Zi!

 

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?