Briken Calja dhe Erkand Qerimaj

Botërori i peshëngritjes/ Erkand Qerimaj në pesë më të mirët e botës, Briken Calja një pozicion më poshtë! Shqipëria pa medalje

12 Shtator 2023, 09:42| Përditesimi: 12 Shtator 2023, 09:55

  • Share

Peshëngritësit Briken Calja dhe Erkand Qerimaj nuk kanë mundur t'i japin medalje Shqipërisë, në Botërorin e këtij sporti që po zhvillohet në Ryad të Arabisë Saudite. Në peshën deri në 81 kilogramë, dy sportistët nuk mundën t'i jepnin medalje Shqipërisë, teksa Qerimaj u fut në pesë më të mirët në botë në stilin e shkëputjes me 156 kg të ngritura.

Erkand Qerimaj garoi në Baterinë A, teksa e mbylli Botërorin në dygarësh në vendin e shtatë, me 338 kilogramë. Në stilin e shkëputjes, Qerimaj e nisi garën me 153 kg, duke e ngritur me sukses këtë peshë. Në provën e radhës, shkodrani shtoi peshën në 156 kilogramë, gjë që ia doli ta ngrinte në provën e tretë, duke mbyllur këtë disiplinë në vendin e pestë. Në stilin e shtytjes, Qerimaj ngriti 182 kilogramë, duke e mbyllur në vendin e tetë.

Në dygarësh, me totalin 338 kg Qerimaj u rendit në total i shtati, duke lënë pas Briken Caljan që ngriti 150 kilogramë në shkëputje dhe 187 kilogramë në shtytje. Në dygarësh, shtërmenasi ngriti 337 kilogramë.

Kështu, me këto rezultate të dy peshëngritësit nuk mundën t'i jepnin medalje Shqipërisë, teksa Qerimaj u mjaftua me vendin e pestë në botë në shkëputje.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?