Borxhi publik, Qeveria planifikon uljen me 6.5% deri në 2026! Rrezikohet nga interesat e kursi i këmbimit! 'Financat': Orientojmë huamarrjen në tregun vendas

14 Gusht 2022, 13:51| Përditesimi: 14 Gusht 2022, 13:58

  • Share

Rritja e normave të interesit për shkak të normalizimit të politikave monetare nga Banka Qendrore Evropiane, Banka e Shqipërisë dhe bankat e tjera qendrore si dhe luhatjet e kursit të këmbimit, mund të cenojnë objektivin e qeverisë për të ulur borxhin publik në vend.

Në Strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit për periudhën 2022-2026, thuhet se borxhi do të ulet me 6.5% deri në vitin 2025, duke zbritur në 66.7% të PBB-së, nga 73.2% që ishte në fund të vitit 2021. Të gjitha këto parashikime thotë ministria e Financave janë objekt rishikimi, pasi situata paraqitet e pasigurt për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, e cila ka goditur tregjet dhe ekonomitë evropiane.

Sipas një analize të bërë në strategji thuhet se nëse normat rriten njëkohësisht interesat e borxhit mund të rriten deri në 0.8% në afatmesëm, ndërsa një zhvlerësim i fortë i monedhës vendase kundrejt euros mund ta mbante nivelin e borxhit mbi 70% deri në vitin 2026.

Këto rreziqe mund të vështirësojë edhe huamarrjen e Shqipërisë në tregun e huaj në kushtet kur nevojat për financim, për shpenzime si pasojë e çmimeve dhe për ri-finacnimin e borxhit ekzistues janë rritur. Për këtë arsye, Ministria e Financave thotë se objektiv i huamarrjes do të jetë tregu i brendshëm, pasi huamarrja në tregun e huaj është sfidë.

“Tregu i brendshëm do të vazhdojë të mbetet burimi kryesor i financimit, i cili do të mbulojë shumicën e nevojave të qeverisjes qendrore për hua. Instrumentet kryesore që do të përdoren për sigurimin e financimit janë titujt shtetëror”, thuhet në strategjinë afatmesme.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave borxhi publik i vendit në muajin qershor ishte 11,6 miliardë euro, ku 5.7 miliardë është borxh i jashtë dhe 5.9 miliardë euro janë nga tregu i brendshëm. Ky ekspozim i borxhit në valutë e bën edhe më të ndjeshëm portofolin ndaj goditjeve të kursit të këmbimit.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?