Nga 2 mln lekë deri në heqje të licensës, zbardhen ndëshkimet e Bordit të Hidrokarbureve ndaj pikave të karburanteve që abuzojnë me çmimin

14 Mars 2022, 11:55| Përditesimi: 14 Mars 2022, 14:11

  • Share

TIRANË- Deri në datën 15 mars, Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburanteve ka vendosur një çmim fiks se sa duhet të shitet nafta, gazi si edhe benzina në këto kohë luftë që po jetojmë dhe nëse kjo nuk zbatohet parashikohen gjoba për të gjitha bizneset. Report Tv ka zbardhur të gjitha masat administrative, e parashikuara për çdo biznes që nuk zbaton vendimin e marrë nga Bordi.

Gjobat variojnë nga 2 mln lekë për ato që tregojnë me pakicë deri në 10 mln lekë për shumicën dhe të gjitha paratë do të shkojnë 100% në buxhetin e shtetit. Në rast përsëritjeje, është parashikuar edhe heqja e licencës së tregtimit.  

"Në rast të mosrespektimit të çmimit tavan përkatës, të vendosur nga Bordi, zbatohen sanksionet e mëposhtme: a)   Shoqëritë e tregtimit me shumicë të produkteve të  naftës dhe gazit dënohen  me gjobë, në masën 10 (dhjetë) milionë lekë; b) Shoqëritë e tregtimit me pakicë të produkteve të naftës dhe gazit, të cilat nuk respektojnë çmimin tavan përkatës të vendosur nga Bordi, dënohen me gjobë, në masën 2 (dy) milionë lekë; c)Në  rast përsëritjeje, masave të mësipërme, të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, i shtohet edhe heqja e licencës së tregtimit", thuhet në vendim.

Ndërkohë, të gjitha kompanitë e kanë detyrim që të mbajnë rezerva për 90 ditë në avancë për të shmangur një krizë të mundshme të mungesës së produktit. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë biznesi përjashtohet për një periudhë 3-vjeçare nga mundësia për të marrë pjesë në një tender dhe gjobë për 50% e vlerës të produkteve rezervë që i mungon. Sipas aktivit normativ, “Albpetrol”, sh.a. me qëllim përmirësimin e situatës me furnizim të hidrokarbureve, ka të drejtë të hyjë në marrëveshje direkte me shoqëri private ose publike.

"Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me shumicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave përkatëse, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi, dhe të ofrojnë këtë shërbim të pandërprerë, në përputhje me vendimet e Bordit. 2. Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizimin e pandërprerë të konsumatorit/qytetarit, në përputhje me vendimet e Bordit. 3. Mosmarrja e masave nga shoqëritë private, sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, dënohet sipas legjislacionit të fushës dhe këto shoqëri përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik", thuhet në Aktin Normativ të publikuar në Fletoren Zyrtare. 

Zbatimi i tyre monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet verifikimit të faturave të lëshuara nga shoqëritë gjatë periudhës së masave të veçanta dhe nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron kryesisht nëpërmjet kontrolleve ose ankesave nga konsumatorët. Bordi i merr vendimet me shumicë të thjeshtë të të gjithë anëtarëve dhe ka në përbërje ministrin e Ekonomisë, drejtorin e Tatimeve e të Doganave dhe 5 përfaqësues nga shoqërite e hidrokarbuereve të cilat kanë xhiron vjetore më të lartë në vitin paraardhës, 3 nga tregtimi me shumicë dhe 2 përfaqësues të tregtimit me pakicë. 

“Në rastet e konfliktit të interesit të përfaqësuesve të shoqërive hidrokarbure, ndaj të cilave merret masë administrative, përfaqësuesi merr pjesë pa të drejtë vote në mbledhjen e Bordit dhe përjashtohet nga vendimmarrja”, përcaktohet në aktin Normativ.

Parashikimet në aktin normativ mbeten në fuqi për aq kohë sa zgjat periudha e situatës së emergjente në tregun hidrokarbur, që në rastin konkret është ndikuar nga lufta në Ukrainë. Çmimi tavan vendoset në varësi të cmimit në tregjet ndërkombëtare,  Deri me datë 15 mars, çmimi i naftës në vend do të jetë 217 lekë, ai i benzinës 217, ndërsa gazi 93 lekë për litër. 

Anëtarët e Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburanteve 

  1. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku
  2. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj
  3. Drejtori i drejtorisë së Tatimeve, Ceno Klosi
  4. Drejtori i drejtorisë së Doganave, Gent Gazheli
  5. 5 përfaqësues nga shoqërite e hidrokarbureve të cilat kanë xhiron vjetore më të lartë në vitin paraardhës

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • GAZMEND T.: 14/03/2022 19:51

    Nuk mund ta zgjidhësh këtë duke i ndëshkuar tregtarët. Ato janë për mundësi dhe fitim. Ata marrin rrezik të lartë për të bërë tregti në kohë të vështira. Pra, kthimi me rrezik të lartë. Si shtet, mund të bëni vetëm 1 gjë: Për automjetet më të vogla se motori 1600cc, ju jepni 30% subvencion për kompanitë e gazit. Ata duhet të bëjnë foto të çdo automjeti dhe ta dërgojnë në komisionin e posaçëm shtetëror për verifikim. Në rast abuzimi, atëherë mund të aplikoni gjobë më të madhe.

    Përgjigju
  • Italia: 14/03/2022 12:23

    Sa eshte çmimi tavan ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?