Bode:Ekonomia në rënie, shkak rritja
e taksave, përgjysmimi i investimeve

7 Tetor 2014, 12:07| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Pas publikimit të shifrave të INSTAT për 3-mujorin e dytë të 2014, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Në një deklaratë për shtyp, ish-ministri i Financave Ridvan Bode thotë se ekonomia e vendit është zvogëluar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke u shprehur se “në tre tremujorë të qeverisjes Rama, dy janë me rënie ekonomike”, Bode tha se shkak për këtë situatë të krijuar është rritja e taksave progresive, përgjysmimi i investimeve dhe krijimi i një klime “mbytëse” për ekonominë dhe biznesin.
 
Deputeti tha se “INSTAT nuk mbulon dot treguesit e përkeqësuar dhe rrëzon propagandën bajate të qeverisë”.
 
“INSTAT-i i qeverisë njoftoi dje rezultatet për vlerësimin e ecurisë së ekonomisë kombëtare për 3 Mujorin e dytë të 2014, duke konfirmuar atë që qytetarët shqiptarë si konsumatorë dhe njerëzit e biznesit e kanë thënë dhe e thonë çdo ditë: ekonomia e vendit në tremujorin e dytë të këtij viti ka rënë me -0.61 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. E thënë ndryshe, INSTAT-i i qeverisë, edhe pse me metodikë të modifikuar në përllogaritjen e treguesit sintetik të ekonomisë, nuk mundi dot t’i mbajë më iso kryeministrit dhe tellallëve të tij në paradën e përditshme mediatike për gjoja suksese dhe progres”, tha Bode.
 
Duke u ndalur tek rezultatet e raportuara nga INSTAT, Bode tha se degët kryesore të ekonomisë që cilat gjenerojnë punësim dhe garantojnë qëndrueshmëri, kanë pësuar rënien më të madhe.
 
“Industria gjatë tremujorit të dytë të këtij viti shënoi një rënie prej 1,29 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013. Dhe për më tepër, brenda këtij grupi, rritja në industritë e nxjerrjes së mineraleve me 7.56%, nuk mundi të mbulojë rënien e thellë në industritë përpunuese me -6.62% apo të energjetikës me -29.20%.
 
Dega e ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2014 shënon një rënie prej 22,39 % krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013, çka përbën gjobën e rëndë që duhet të paguajë ekonomia e vendit për shkak të politikave bllokuese në investimet publike, veprimeve antiligjore dhe terrorit policor në ndërtimet e qytetarëve.
 
Dega e Transportit, shënon një rënie me 23,05% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më pare, duke dëshmuar kështu se rënia në qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve në nivele të tilla, përbën faktin e autentik të zvogëlimit të këmbimeve tregtare dhe të konsumit.
 
Me rënie prej -1.02% janë edhe Posta dhe Komunikacioni. Të vetmet degë me rritje sipas INSTAT-it të qeverisë janë Bujqësia me 3.18, Tregtia dhe hoteleritë me 7.09 dhe shërbimet e tjera me 4.55%”, u shpreh Bode.
 
Sipas Bodes, dobësimi i ekonomisë është reflektuar edhe në jetesën e përditshme të qytetarëve, të cilët sipas tij kanë humbur vendet e punës, ndërsa u rriten taksat dhe çmimet.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?