Bizneset e burimeve ujore që po shkretojnë Shqipërinë

4 Korrik 2022, 15:54| Përditesimi: 4 Korrik 2022, 16:05

  • Share

Ndjen një dhimbje në shpirt kur sheh se çfarë po u bëjnë ujërave në Shqipëri, kësaj pasurie që na rrit vlerat. Jemi të pasur, vijmë në Evropë pas Norvegjisë, por jemi të fundit për ruajtjen dhe mirëadministrimin e tyre. Nuk po dimë ta trajtojmë si pasuri kombëtare! Janë të tjerë ata që e shohin si pasuri, burim fitimi, por fitim jo për komunitetin ku burojnë ujërat, por fitim për ata që kanë teprica parash (në mos i pastrojnë ato) dhe i investojnë kudo ku gjejnë komuna që t’i korruptojnë e të sigurojnë licenca për ndërtime hidrocentralesh.

Në rrokopujën që përfishin burimet ujore, nga veriu në jug, duhet të tregosh durim për të dëgjuar çfarë i kanë bërë këtyre pasurive? Shkretimi që u kanë sjellë banorëve, natyrës, bimësisë, botës ujore e shtazore, ndërtimi i këtyre mini centraleve ujore, është i dukshëm, i prekshëm. Thelbi i tyre, i thjeshtë, shumë i thjeshtë për ta kuptuar, qëndron në futjen e ujit në tuba nga burimi deri 2, 3, 5 apo 10 km më poshtë, ku sigurohet pjerrësia e nevojshme, që uji nga tubat të lëshohet mbi turbinat dhe t’i vërë ato në lëvizje. Prodhojnë turbinat energji elektrike, pronarët ja shesin shtetit apo privatit përmes kontratave, lënë 3-4 veta për t’i patur në kujdes dhe kontroll turbinat dhe...ikin. Lënë pas gjurmët e shëmtuara, si plagë në natyrë, të gërmimeve ku kalon tubi dhe një hapësirë disa kilometra pa ujë, shtratin e thatë të lumit apo përroit. Marrëdhënia më tej vazhdon me bankat.

Publiku njeh përpos se debatin e zhvilluar për hidrocentralet në Valbonë, por dhjetëra raste të tjera, janë të panjohura. Biznesmenët e burimeve ujore kanë hyrë fshatrave, aty-këtu mbetur me pleq, kanë blerë kryeplakun, kryetarin e komunës, kanë bërë sikur kanë marrë miratimin e komunitetit në takime me popullin, ku janë ndodhur 10-12 vetë. Pas kësaj u janë turrur marrjes së firmave në bashki, në prefektura, ku funksionon Këshilli Basenit Ujor, në Ministrinë e Turizmit e Mjedisit, ku ka zyrat Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe e mbyllin me Agjencinë Kombëtare të Zonave te Mbrojtura. Çuditërisht, këto “pengesa” i kalojnë lehtësisht, askush prej këtyre institucione nuk u nxjerr probleme. Firmat u siguruan.

Më tregonte një shoku im nga fshati fqinj i Kuçit, ku kam origjinën e prindërve dhe varret e të parëve të mi: erdhën dhe morën ujin e burimeve të Gjezhdanicës, Gurrës,etj... e futën në tuba dhe i bënë fshatit atë që nuk ja kish bërë dot Turqia në 500 vjet! E shkretuan! Si këtu dhe në dhjetra fshatra të tjerë. Ata që ndërtojnë nuk janë bij të këtyre fshatarve, s’kanë asnjë lidhje me fshatin, veç interesit që energjinë e rrjedhjes së ujit, të burimeve të tyre, ta shndërrojnë në lekë, lekë, lekë, euro...fitime, ndërsa fshati i mjerë me gisht në gojë!

Tani që katundi më i madh i Labërisë dhe krahinës së Kurveleshit, Kuçi, varet nga Bashkia e Himarës, bizneset e ujit u janë turrur me projekte burimeve të Kuçit. Burimet ujore, pyjet, honet, rrepet shekullorë, gjallesat ujore, që janë pjesë e enciklopedive botërore, që janë e përbëjnë monumente natyrore të rralla, janë e vetmja pasuri e zonës. Duan t’i bëjnë lumit të Kuçit, Shushicës, atë që i bënë Valbonës, për të cilën më pas vendimmarrësit bënin të paditurin sa në qeveri aq dhe në gjyqe! Ndërtimin e hidrocentraleve në Valbonë Sali Berisha (kur ishte kryeministër) e ndau si tortë, si copa dhuratash për rrethin e tij miqësor. Dha lejet e hidrocentraleve, një pjesë e atyre që i morën, i shitën lejet, të tjerë i blenë dhe ndërtuan deri kur...një ditë gjykata i ndaloi, pas protestave “si kofini pas të vjeli”. Dëmi ishte bërë.

Por lumi i kuçe, ka disa gjëra më shumë se sa perla e Valbonës. Kësaj cope të Labërisë, po t'i heqësh ujin, pamjen e rrjedhjen e lumit, zallin e bardhë qelibar, ekosistemin e pasur, ku peshku Pestrovë është unikal, i vetmi në botë si lloj dhe pjesë e gjithë enciklopedive të kulturës ujore, shndërrohet në një zero të madhe. Po t'i heqësh Kuçit burimin e Lëpushës (500 l/s) i ke hequr zonës jetën! Po i more ujërat në rrepet e Buronjave historike (300 l/s), Kuçi, vendi ku kalojnë burimet, në një gjatësi prej 11 kilometra, shkretohen. Vendi bëhet i pa banueshëm. Po ndodhi kjo, edhe rrugët e reja Gusmar-Kuç e Kuç-Qeparo humbasin vlerën, humbasin rëndësinë sa për turizmin ashtu dhe për shijimin e bukurive të natyrës madhështore që afron zona!

Vendi humbet vlerat, dhe pa ujin e Lëpushës, humbet edhe kuptimi i bukurisë së Buronjave, rrapeve, Malit të Shkabës e Gjoshnikoshit, Shuri i Kuçit, që poeti kombëtar, Anton Z. Çajupi, i këndoi i mahnitur, “...Gryk e Kuçit kush ka shkuar/ dhe gjaku si ka qëndruar...?” Projektuesit e hidrocentralit (po i lanë?!) duhet që ta prishin edhe memorialin që populli i Kuçit i ka ngritur poetit. Duhet, sepse i pengon në shtrirjen e tubacionit!

Në Shoqatën "Vllazërimi kuçjot" këto ditë janë përgatitur të bëjnë gjithçka që këto projekte të shëmtuara në dëm të vendit, të popullit të thjeshtë, që shkatërrojnë resurset ekonomike që i japin zonës rrugët e reja, të informojnë këdo që ka pushtetin për t’i penguar! Do kërkohet ndërhyrja e institucioneve përgjegjëse. Pa ujët, edhe rrugët e humbasin vlerën? Ëndjen e jetesës në Kuç të Labërisë e sjell ujët, ujët dhe vetëm ujët e atij burimi madhështor, monument natyror dhe po aq madhështor sa “Syri i Kaltër”.

Banorët e fshatit dhe Shoqata “Vëllazërimi kuçjot” nuk do ta lejojnë ndërtimin e një hidrocentrali. Jo “bizneseve” të ujit, që fshihen pas emrave që ndotin emrin e nderuar e të madh të fshatit! Nuk do lejojmë që fshatit tonë t’i ndodhë kjo fatkeqësi!

U bëjmë si shoqatë thirrje hartuesve të projektit që kanë në mëndje dhe investitorëve të projektit të hidrocentralit, të heqin dorë sa më parë nga qëllimet e tyre të mbrapshta!

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?