Bislimi: Pritet që BE-ja t'i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës para takimit Kurti-Vuçiç

9 Shtator 2023, 15:38| Përditesimi: 9 Shtator 2023, 15:40

  • Share

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se ai po pret që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës para takimit Kurti-Vuçiç e cila do zhvillohet më 14 shtator

Bislimi në një intervistë për median serbe “Danas” tha se në këtë proçes Serbia ka arritur të promovojë BE-në nga një “lehtësues në një negociator”.

“Deklarata e BE-së e 3 qershorit, së bashku me masat e vendosura më pas e konfirmojnë këtë. Megjithatë, në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi”, tha Bislimi.

Ai tha se zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mund të çojë situatën në një stabilizim. Bislimi tha se vendimet madhore duhet të merren nga liderët e guximshëm. Gjithashtu shpreson se lidershipi i Serbisë do të gjejë forcën për ta zbatuar Marrëveshjen Bazike.

“Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës. Është e rëndësishme që ne të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme si anëtarë të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare. Vendime të tilla madhore duhet të merren nga liderë të guximshëm dhe shpresoj se lidershipi i Serbisë do të gjejë forcë për ta zbatuar Marrëveshjen Bazike”, tha Bislimi.

Zëvendëskryeministritha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve e vë theksin te mbrojtja e pakicave. Ai shtoi se Kosova insiston në mbrojtjen e shqiptarëve ashtu si Serbia për serbët në Kosovë.

“Ne do të insistojmë në mbrojtjen e minoritetit shqiptar në Serbi me të njëjtën energji siç po e bën pala tjetër për komunitetin serb në Kosovë dhe besoj se do të ishte paradoks të sillemi ndryshe. Kjo temë është e pashmangshme, nëse të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë synim arritjen e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, tha Bislimi.

Ai tha se shqiptarët në Luginën e Preshevës janë të diskriminuar dhe gëzojnë shumë pak të drejta në krahasim me serbët në Kosovë dhe se Kosova në mënyrë të njëanshme po zbaton marrëveshjen për njohjen e diplomave, ndërsa Serbia po zbaton heqjen e liçensimeve të diplomave tashmë të njohura.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?