Bislimi: Kosova dhe Serbia do të propozojnë zgjidhje për çështjen e dinarit

19 Mars, 19:04| Përditesimi: 19 Mars, 21:05

  • Share

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan të martën në Bruksel për të diskutuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë, që është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.

Pas takimeve të ndara, kryenegociatorët u takuan gjatë ditës me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, edhe në një takim trepalësh.

Zoti Lajçak shkroi në rrjetet sociale se me dy kryenegociatorët ka rënë dakord “që të vazhdojmë me këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa marrëveshja do të duhet të adresohet nga udhëheqësit”.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha pas takimit se “u dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet me zgjidhjen afatgjatë dhe pastaj javën tjetër të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë një hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim i vetëm që kishte me qenë i pranueshëm për palën e Kosovës”.

Ndërsa kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç tha se javën që vjen pritet një takim i ri, ndërsa në takimin e sotëm tha se Serbia ka kërkuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Për ne, formimi i Asociacionit është vendimtar sepse zgjidh plotësisht çështjen e financimit të të gjitha institucioneve tona dhe popullit serb siç parashihet me marrëveshjen e Brukselit dhe marrëveshjet e tjera”, tha zoti Petkoviç.

Kjo është hera e parë që zyrtarë të qeverisë po marrin pjesë në diskutime për çështjen e dinarit serb pasi deri më tash kanë refuzuar me arsyetimin se kjo nuk është temë e dialogut që zhvillohet në Bruksel. Në takimin e muajit të kaluar nga Kosova kishin marrë pjesë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës.

Takimet në Bruksel pasuan rregulloren e kësaj banke, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.

Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive dhe kanë paralajmëruar Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi të hënën shtimin e trysnisë mbi Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e marrëveshjes së arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre

Me 18 mars në Ohër ata u pajtuan për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja ishte mirëpritur nga diplomacia perëndimore dhe pati një shkallë optimizmi se zbatimi i saj do të fillojë menjëherë, por, kjo nuk ndodhi dhe palët kaluan periudha tensionesh të larta që kulmuan me 24 shtator kur një polic i Kosovës u vra gjatë një sulmi serbësh të armatosur./ VOA

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?