Biografia e Mandelës
botohet në gjuhën shqipe

17 Dhjetor 2013, 07:02| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Ikja nga kjo botë e Mandelës rikthen në kujtesën historike shembullin humanizmit, modestinë dhe fuqinë e këtij njeriu frymëzues. Libri i autorizuar nga vetë Nelson Mandela, “Portret në foto e fjalë”, qëlloi të dilte në dritën e botimit në gjuhën shqipe ditën e vdekjes së tij nga shtëpia botuese “Pegi”, e cila e kishte në proces botimi. Në këto ditë lamtumire, libri biografik e shton edhe më shumë kuriozitetin e lexuesit. “Portret në foto dhe fjalë” është përkthyer nga origjinali “A portrait in ëords and pictures” nga Anxhela Çikopano. Autor i biografisë është vetë Mandela, një afrikan i fisit xhosa, i cili arratiset një ditë nga vendlindja e tij, sepse ndërsa e përgatisnin për kryetar fisi, po e detyronin të martohej pa dëshirën e tij.

Kjo ishte zanafilla e peripecive të një njeriu me ngjyrë, në kohën kur dallimet dhe padrejtësitë raciale ishin diskriminuese dhe atij i duheshin përpjekje të jashtëzakonshme për shkollim dhe punësim. Libri “Portret në foto e fjalë”, skicon jetën e Mandelës nëpërmjet imazheve dhe citimeve të përzgjedhura me kujdes, shumica e të cilave janë marrë nga arkivi i tij personal. Ky portret me foto dhe fjalë na shpalos jetën dhe kurajën e pamasë të një individi të jashtëzakonshëm, jeta e të cilit ka aftësinë të na frymëzojë, të na prekë e të na motivojë. “Me një format tërheqës dhe të thjeshtë, ky libër ka për qëllim të na prezantojë Nelson Mandelën, nëpërmjet fjalëve të tij të mençura, imazheve goditëse të jetës dhe sendeve të tij personale, si edhe opinioneve të shumë të tjerëve, të marra nga burime të palexuara më parë”, thotë botuesja e “Pegit”, Loreta Bërhami. I nderuar nga gjithë bota për guximin e jashtëzakonshëm dhe forcën e tij morale, Nelson Mandela konsiderohet si simbol i shpresës dhe i mundësive të pajtimit.

Jeta e tij ndikoi më shumë se çdokush tjetër në fitoren e idealeve të lirisë, të barazisë dhe të demokracisë në mbarë botën. “Jeta e Nelson Mandela-s është historia e njeriut që i bëri ballë cinizmit dhe dëshpërimit që aq shpesh mundojnë botën. Nga një i burgosur u bë njeri i lirë; nga një figurë luftëtare u bë një zë i apasionuar për pajtimin; nga udhëheqësi i një partie u bë presidenti i një vendi të tërë dhe i hapi rrugën demokracisë dhe zhvillimit. Ai ka bërë aq shumë për të ndryshuar vendin e tij, edhe botën, sa është e vështirë ta përfytyrosh historinë e këtyre dekadave të fundit pa të.”, shprehet presidenti aktual i SHBA-ve Barack Obama.
 
Nelson Mandela, nobelisti i Paqes
 
Nelson Mandela (Rolihlahla Dalibhunga Mandela) (18 korrik 1918 - 5 dhjetor 2013) ishte President i Afrikës Jugore dhe Luftëtar i lirisë, i cili luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej njerëzve me ngjyrë në Afrikë, posaçërisht në Afrikën Jugore. Ai studioi juridikun. Shumë vite të jetës së tij ai i kaloi nëpër burgje. Fillimisht Mandela zgjodhi rrugën paqësore për qëllimet e tij dhe të shokëve të tij. Në vitin 1956 ai u akuzua për "tradhti të lartë" nga regjimi i atëhershëm, bashkë me 155 shokë të tjerë. Procesi zgjati deri me 1961 dhe të gjithë u liruan. Mbas lirimit a u bë lideri i grupit të armatosur së ANCs,Umkohnto we Sizëe. Në vitin 1962 ai u burgos dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie. Në vitin 1964 ai u dënua me burg të përjetshëm, sepse kishte planifikuar luftë të armatosur. Në vitin 1985 atij iu afrua mundësia e lirimit, në qoftë se do të pranonte ndalimin e aktivitetit të armatosur, por ai refuzoi. Në vitin 1990 mbas një kampanje të ANC dhe presion ndërkombëtar ai u lirua pa kushte. Në vitin 1993 ai fitoi çmimin Nobel. Kurse në vitin 1994 ai u zgjodh në zgjedhje demokratike, President i Afrikës Jugore dhe me 9 maj ai u zgjodh si presidenti i parë i zi në këtë vend. Në vitin 1999 ai dha dorëheqje dhe ishte aktiv për organizata për drejta të njerëzve të ndryshme. Në vitin 2003 ai kritikoi shumë Toni Blair dhe Georg VV. Bush për intervenimin në Irak. Mandela vdiq pas një sëmundjeje të gjatë më 5 dhjetor 2013 në shtëpinë e tij në Johannesburg.
 
Shkrimi u publikua sot (17.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?