‘Bie’ kufiri me Kosovën, leja e kalimit vetëm online tek e-Albania

13 Qershor, 12:23| Përditesimi: 13 Qershor, 12:24

  • Share

Nga 12 qershori i këtij viti hyri në fuqi regjimi i lirë i trafikut në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim lehtësimin e qarkullimit lokal kufitar në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të qeverive të dy vendeve tona.

Banorët e zonës në kufi me Kosovën do të lejohen të kalojnë kufirin tokësor duke paraqitur dokumente identifikuese standarde, mes të cilave edhe Leja e Kalimit Kufitar Lokal, për të cilin aplikohet e më pas sigurohet nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.

Mes 1240 shërbimeve të institucioneve publike, rishtazi është shtuar edhe shërbimi që përdoruesit e e-Albania e gjejnë me emërtimin “Leje Kalimi Kufitar Lokal” (https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=15046). Nëpërmjet këtij shërbimi, vetëm banorët pranë kufirit mund të aplikojnë për t’u pajisur me lejen e kalimit, me anë të një procedure të thjeshtë elektronike, që si kërkesë të vetme ka ngarkimin e katër dokumenteve:

· Fotokopje e dokumentit të vlefshëm të udhëtimit (pasaportë, kartë identiteti);

· Një fotografi (47mmX36mm), të bërë jo më përpara se 6 muaj nga data e aplikimit;

· Deklarata individuale mbi motivin e kalimit dhe qëndrimit në Zonën Kufitare, Shqipëri;

· Deklaratë/autorizimi.

Brenda një afati 30-ditor, aplikantëve që u aprovohet kërkesa, pajisen me lejen e posaçme që e gjejnë në rubrikën “Dokumentet e mia” në llogarinë personale në e-Albania. Edhe për ata qytetarë, të cilëve u refuzohet aplikimi, strukturat e Policisë së Shtetit që merren me trajtimin e rasteve, do të njoftojnë aplikantët për arsyet e refuzimit

Leje Kalimi Kufitar Lokal ka një afat vlefshmërie 5-vjeçare dhe procedura aplikuese kryhet kundrejt asnjë detyrimi monetar.

Ky zhvillim i ri për lëvizjen e lehtësuar të qytetarëve këtej dhe andej kufirit u mundësua falë një marrëveshjeje të firmosur më 26 nëntor 2021 mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, që parashikon ekzistencën e një entiteti territorial-administrativ. Përfitues janë banorët e qyteteve dhe fshatrave të cilat ndodhen në rrezen 30 kilometra nga kufiri, të cilët mund të udhëtojnë dhe qëndrojnë në zonën kufitare jo më shumë se 90 ditë, brenda 180 ditëve kalendarike.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?