Ekonomi

Besimi i bizneseve në ekonomi kalon shifrat e vitit 2017! Sezoni turistik, përmirëson financat! Preçi: Nëse s’ka mbyllje, i kalojmë edhe shifrat e 2019

9 Gusht 2021, 22:25| Përditesimi: 9 Gusht 2021, 22:31

  • Share

Besimi në ekonomi është rritur edhe në muajin korrik i ndikuar më së shumti edhe nga sezoni turistik. Sektori i shërbimeve ka kaluar edhe shifrat e vitit 2018. Banka e Shqipërisë thotë se të gjithë sektorët kanë vlerësuar se situata e tyre ekonomike dhe financiare është përmirësuar.

Konkretisht sipas raportit të bankës qendrore besimi në ekonomi në muajin korrik u rrit me 4.1%, duke arritur vlerën më të lartë të katër viteve të fundit. Industria e turizmit ka regjistruar rritjen më të madhe me 8.6% si pasojë e rritjes së kërkesës dhe të ecurisë së biznesit.

“Është periudha e turizmit dhe është e pritshme një rimëkëmbje modeste por ende larg pritshmërive dhe potencialeve që ka vendi për vitin 2021”, pohon eksperti i ekonomisë Zef Preçi.

Më pas është sektori i ndërtimit me rritje të besimit me 5.8% në muajin korrik krahasuar me qershorin, dhe shkak për këtë tregues pozitiv është bërë shtimi i porosive si dhe avancimi i aktivitetit ndërtues. Eksperti i ekonomisë Zef Preçi thotë se ndikim në këtë sektor kanë investimet për rindërtimin e vendit.

“Natyrisht një vend ku ekonomia e tij kushtëzohet dukshëm nga zhvillimet në ekonominë botërore, nga shpejtësia e rimëkëmbjes pas tërmetit të 2019 dhe kryerja e investimeve me fondet e rindërtimit, si edhe nga masat që janë marrë për të mbështetur rimëkëmbjen pas pandemisë nuk mund të jetë ndryshe përveç rastit të vendit tonë”, pohon eksperti i ekonomisë.

Edhe industria e tregtia kanë regjistruar rritje, ndërsa besimi i konsumatorëve është në stanjacion pas një rritjeje në 3 muajt e kaluar. Shkak për këtë situatë është bërë përkeqësimi i gjendjes së tyre financiare.Preçi thotë se përpos përmirësimit në 6-mujorin e parë të vitit, ekonomia është ende në nivel anemik.

“Vazhdojmë të kemi një ekonomi anemike që performon ngadalë, por në rast se gjithçka shkon mirë dhe nuk do të kemi kushtëzime të tjera porsa i takon pandemisë për muajit e ardhshëm, mund të arrijmë në shifrat e vitit 2019. Por procesi i kapërcimit të efekteve të pandemisë do të kërkojë 2-3 vite të tjera për tu normalizuara dhe Shqipëria të futet në një trend të rritjes ekonomike”, tha ndër të tjera eksperti Preçi.

Ekonomia e vendit u rrit me 5.5% në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që kjo shifër të jetë më e lartë në tremujorin e dytë dhe të tretë për shkak të sezonit turistik dhe numrit të lartë të të huajve që po vijnë në Shqipëri.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?