Sali Berisha

Berisha u nis të paguajë ‘faturën’, kush e ka radhën tani?!

13 Dhjetor 2023, 18:52| Përditesimi: 13 Dhjetor 2023, 18:56

  • Share

SPAK e dërgoi më në fund kërkesën në Kuvend për të marrë autorizimin që i mundëson arrestimin e Sali Berishës, nën akuzën e korrupsionit pasiv.

Pasi e kërkoi përmbi një muaj nëpër Tiranë për t’i dërguar zyrtarisht njoftimin për masën e parë të sigurisë, atë të paraqitjes dy herë në muaj në Gjykatën e Posaçme, dhe s’mundi t’ia linte në dorë pasi herë fshihej në banjon e selisë buzë Lanës e herë në atë të shtëpisë në emër të vajzës Argita, më në fund i ra shkurt SPAK, dërgoi kërkesën në Kuvend për lejen e arrestit.

Kuptohet pasi kishte hasur përmbi një muaj me kundërshtimin e Berishës për t’u paraqitur para Gjykatës, si dhe karshillëkun që i bënte institucionit më të lartë të drejtësisë, duke dhënë deklarata për mediat dhe duke i vënë flakën sallës së seancave parlamentare pikërisht në momentin kur duhej të ishte para oficerit gjyqësor, sipas përcaktimit të masës së arrestit.

Justifikimeve të Berishës se është shkelur Kushtetuta, pasi duhej kërkuar leja nga Kuvendi për një masë sigurie ndaj një deputeti, anipse s’ishte heqje lirie por kufizim për të dalë jashtë vendit masa e parë e sigurisë dhe për hir të së vërtetës Berisha vetëm nëse del për vizita private apo mjekësore ka nevojë pasi askush nuk e takon si ‘non grata’ funksional që është, nga e marta e kësaj jave këtyre justifikimeve u ka ardhur fundi.

SPAK e kërkoi lejen për arrestin në Parlament, e do jetë Këshilli i Rregullores dhe i Mandateve ai që javën e ardhshme do ta miratojë këtë kërkesë. Më pas e voton Parlamenti në seancë. Do apo nuk do Berisha, apo dhe mbështetësit e tij.

Me gjithë dëshirën e mirë të ithtarëve të Berishës dhe e të tjerëve që e shohin për gjynah, që kjo kërkesë të rrëzohet nga Kuvendi, grupi i deputetëve të Foltores plus të Bardhit ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e seancës parlamentare nëse Rama nuk plotëson tre kushtet për komisionet hetimore dhe gjëra të tjera, me sa duket Kuvendi i Shqipërisë do të ndjekë trendin e mëhershëm. Që do të thotë se do të votojë pro lejes për SPAK që ta dërgojë Berishën nën arrest, sikurse ka ndodhur dhe në rastet e mëparshme me Ahmetajn dhe ish deputetët e tjerë të PS. Kjo është e mbyllur, s’ka asnjë shpresë për refuzim.

Me sa duket me këtë kërkesë është ‘qetësuar’ dhe vetë Berisha, i cili përtej ngjyrës së verdhë të fytyrës, ngrirjes së njërit sy që tregon situatën aspak të mirë në të cilën ndodhet, s’ka reflektuar ndonjë hata të madhe. Është pajtuar nga zori me këtë situatë, të cilën e ka pritur ankthshëm.

E kishte mbajtur të ‘pompuar’ publikun me kaosin e shkaktuar në Kuvend, duke djegur karrige, hedhur tymuese dhe hyrë nga kangjellat e dritarja në kryesinë e Kuvendit, duke kërcënuar me mosbindje civile dhe revolucione që fillonin nga salla e Kuvendit dhe përfundonin në sheshet e gjithë Shqipërisë.

Por nga dje Berisha pa më në fund se askush nuk e mbështeste, jo vetëm që asnjë demokrat nuk e lë punën apo hallin e tij për të ardhur në Tiranë dhe për të protestuar për hallin e Berishës e të kullave miliona euroshe të dhëndrit të tij, por as brenda grupit parlamentar nuk gjeti mbështetje. Madje dhe ithtarë afër tij ishin kundër protestës para parlamentit për arrestimin e Berishës. Sepse kthehej në bumerang, nuk vinte askush dhe i dilte ‘kallaji’ të gjitha kërcënimeve të bëra deri më tani dhe mbajtjes me gajret se Berisha mbledh njerëz në çdo moment të ditës. Dhe kur nuk të ndjek as Flamur Noka, situata është më tepër se e rëndë për Berishën. Kjo ka qënë dhe goditja më shokuese dhe më e madhe që ka marrë. Është definitivisht vetëm.

Ndaj Berisha nga e marta u zbyth duke deklaruar se do të respektonte çdo vendim të parlamentit shqiptar për fatin e tij. Ndonëse avokatët u mbahen procedurave duke diskutuar ende për masën e parë të sigurisë detyrim paraqitje dy herë në muaj se ishte marrë jo konform Kushtetutës.Paçka se tani është një realitet i ri, Berisha është nisur për në burg dhe do vendosë Kuvendi për lejen e kërkuar nga SPAK.

Për hir të së vërtetës, ajo masë sigurie ishte vërtetë e butë pasi me akuzën për korrupsion pasiv, detyrimisht duhej të ishte nën arrest, në shtëpi ose në qeli. Që në krye të herës, duke ia kursyer lodhjet dhe skrapatimin gjithë ditën nëpër ekrane, në seancat e dhunshme parlamentare dhe në daljet publike. Por tashmë ia plotësuan ‘dëshirën’ prokurorët e SPAK, kërkuan sipas Kushtetutës lejen nga Kuvendi për ta arrestuar.

Berishën e ka marrë më qafë vetja, pasi me zullumet që ka bërë gjatë gjithë qeverisjes së tij, që nga korrupsioni madhor, minimi i demiokracisë dhe shantazhimi i drejtësisë, janë elementë të përmendur dhe në motivimin e SHBA për shpalljen e tij ‘non grata’ familjarisht. Por një ‘dorë’ të mirë për ndikimin në këtë situatë kanë dhe avokatët e këshilltarët e tij të këqinj.

Ata nuk gjykuan ftohtë që në masën e parë të sigurisë, dhe të shpreheshin të lumtur se ishte masë e butë, por e këshilluan dhe e mbrojtën keq, duke e shtyrë në mosbindje ‘civile’ ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme. Rezultati është që do festojë festat e fundvitit më e pakta në shtëpi i izoluar ose më e shumta në qeli. Eshtë fatkeqësi të kesh këshilltarë dhe avokatë ithtarë, që të këshillojnë atë që dëshiron ai që i paguan, dhe nuk bëjnë detyrën, këshillimin real dhe mbrojtjen reale.

Fundja janë mësuar të bëjnë avokatin apo këshilltarin kur Berisha urdhëronte vetë drejtësinë. Thjeshtë ata bënin letrat për të qënë në rregull, pasi vendimi ishte marrë me urdhër në favor të liderit të tyre që ata mbronin. Kjo është e vërteta, ndaj mos të na lodhin kot kokën me procedura dhe me cic-mice, aq sa t’i plasin shpirtin dhe Gridës, e cila i di gjërat nga brenda dhe pavarësisht vullnetit të mirë të saj, nuk mundi të përmbahej nga këto gomarllëqe që dëgjonte live.

Por ajo që u vu re me sy të lirë ishte se të gjithë panelistët e quanin fakt të kryer masën e arrestit në shtëpi për Berishën. E quajnë të moshuar, ndonëse ai veten nuk e ndjen të tillë pasi është investuar fort se ‘do të sjellë të renë për opozitën shqiptare’. Për më tepër që për të ‘vitet janë numra’, ndonëse u pa me të vërtetë i lodhur të martën. Ndoshta sepse pa që ‘beteja’ e tij me drejtësinë ishte humbur, dhe se ajo nuk po bindej më, me një ‘fishkëllimë’. Sikurse ndodhte.

E ka kuptuar se ‘pultin e komandimit’ kjo drejtësi e ka jashtë Shqipërisë, dhe përtej lojërave të fjalëve se urdhërohet nga Edi Rama për të ‘prishur revolucionin që po ngjizej’, këta janë dhe shpjegimet e ithtarëve të tij nëpër panelet televizive, revolucion që ka tash 2 vite që përgatitet për në shtator dhe asnjëherë nuk plas, Berisha është i bindur se SPAK e Gjykata e Posaçme nuk bëjnë shaka më me drejtësinë dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe lidhur me krimin në këtë vend. Kanë marrë guxim për të dalë përtej emrit!

Nuk duhet të paragjykoujmë vendimin e Gjykatës së Posaçme nëse SPAK kërkon masën e arrestit me burg, për ta mbyllur në qeli Berishën. Akuza është e rëndë, korrupsion pasiv. Ka dhe akuza të tjera në radhë dhe ndoshta mund ta shohin të arsyeshme që të mbajnë brenda pasi, dosja e aferës CEZ-DIA është nën hetim, është rikthyer nga Strasburgu dhe dosja e 21 janarit 2011 ku Garda vrau 4 demonstrues, me kërkesën që të mos hetohen e gjykohen ata që tërhoqën këmbëzën por ata që urdhëruan. Pra zinxhiri komandues, kuptohet Berisha. S’bëhej gjë pa urdhërin e tij.

Ky justifikimi se është i moshuar dhe për të duhet arrest shtëpiak, është për t’u diskutuar. Pasi jo më larg se një javë më parë mes 15 personave që u vunë nën arrest për inceneratorin e Tiranës, dy prej tyre ishin pensionistë. Si Berisha, të moshuar. Por me një ndryshim, ata kishin kohë që luanin me nipërit e mbesat dhe nuk kishin dalë rrugëve për të ngatërruar dynjanë, sulmuar institucionet dhe kërcënuar prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm si Berisha. Dhe kërcënimi ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të çështjes në ngarkim të tij dhe etiketimi si organizatë kriminale i SPAK dhe Gjykatës së Posaçme, ndoshta mund të përfshihen në ‘llogarinë’ e Berishës, duke ia bërë më të lehtë rrugën drejt burgut.

Nuk ka dy standarde për drejtësinë shqiptare. Fundja për këtë është ngritur drejtësia e re, për këtë paguhet rëndshëm dhe mbështetet fort nga aleatët, gjithë shqiptarët e qeveria, për t’i dhënë fund drejtësisë me dy standarde, si dhe për të bërë që të paguajnë ‘faturën’ sipas ligjit edhe ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës shqiptare për të gjitha zullumet që kanë kryer. Të gjithë të barabartë para ligjit.

Ndaj ta lëmë drejtësinë e re rehat që të vendosë si ta shohë më të udhës, arrest me burg në qeli apo në arrest shtëpiak për Berishën, të pa shtëpi. Se bën dhe si i përkorë, sikur është i pastrehë dhe ‘strehohet’ te vila dhe apartamentet e vajzës Argita, e cila si shtresë e “mesme’ që është zotëron shumë të tilla. Madje ka dhe një kompleks kullash tek “Partizani’ që i kanë garantuar familjes së saj më e pakta 5.4 milionë euro fitim. Ka dhe “Foltoren” si trashëgimi. Ia la Berisha, duke e ditur se kështu do të përfundonte, në arrest shtëpie apo qelie, derisa të jepet vendimi i formës së prerë për të gjitha akuzat në ngarkim të tij.

Dhe teksa shohim se Berisha e ka marrë udhën drejt qelisë për të paguar ‘faturën’ për të gjitha zullumet që ka kryer gjatë këtyre 32 viteve në kupolën e politikës dhe qeverisjes së vendit, në mendjen e shqiptarëve lind pyetja: Kush e ka radhën tani. Dosjet janë të rënda në SPAK, për familjarët e Berishës dhe ortakët e tij, të cilët janë më të trembur se kurrë.

Shqiptarët nuk e quajnë drejtësinë e re nëse ajo merret me këta keqbërësit e vegjël, por vetëm nëse merr nën hetim dhe përball me drejtësinë “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit në Shqipëri. Me ata që nuk e dinë se ku i kanë pasuritë e paluajtshme dhe në cilat banka i kanë paratë.

Radha është e atyre, si në dasmë kur thuhet: Radhën e kanë ‘shoqnia’ për ta kërcyer ‘naplonin’, pasi ‘Berisha me gjithë dhondrin’ po e ‘kërcen’ rëndshëm nën arrest tashmë. Të hedhin lekë apo flori, si të duan, mjafton që të gjitha bashkë të kthehen në arkën e shtetit për t’u vënë në dizpozicion të qytetarëve shqiptarë. Pasi janë para të vjedhura. Të gjithë do ta paguajnë ‘faturën’. Mjaft më. Pandëshkueshmëria në këtë vend do marrë fund, askush nuk është më i paprekshëm. Java

B.V/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mali: 14/12/2023 20:56

    E meriton një fund të tillë e keqja e madhe e Shqipërisë !!!

    Përgjigju
  • Tralala zura nje gale: 14/12/2023 09:23

    Pules qe te mos fluturoje i presin fletet, edhe Sali trimi tani eshte bere tamam si pula qe i kane prere fletet qw te mos fluturoje

    Përgjigju
  • Sadna: 14/12/2023 00:12

    E ka rradhen dita me dhene fjalimin se ka vjedh komshiu jep urrdher vait dodes te jap begazhin dites perball postes shqipetare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?