E shpëtoi nga gjyqi për kryengritjen e armatosur të 1998! Berisha s'heq dorë nga Gjin Gjoni! Ish gjyqtari milioner kandidat i Rithemelimit në Lezhë

20 Mars, 13:01| Përditesimi: 20 Mars, 14:20

  • Share

TIRANE- Pak vite më parë Gjin Gjonit, gjyqtarit 'sheik' që i shpëtoi vettingut me dorëheqje pikërisht kur do të duhet të justifikonte milionat e pasurisë së tij, i doli emri për t’u zgjedhur ligjvënës i shqiptarëve përmes kandidatëve të Berishës, por ish kryeministri dhe të tijtë u tërhoqën pas presionit të madh publik dhe ndërkombëtar.

Por misionin për ta futur në politikën e madhe ish anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë duket se te Rithemelimi nuk e kanë quajtur ‘të dështuar’. Mes kandidatëve për kryetar të degës së Lezhës, qendër qarku dhe një nga bashkitë më të rëndësishme në vend dhe të ashtuquajtur si ‘bastion i opozitës’’, renditet pikërisht Gjin Gjoni, që në periudhën kur Berisha qeveriste ishte një nga njerëzit më me influencë në drejtësinë shqiptare, ndërsa në sytë e ambasadave të Tiranës shikohej si simboli i abuzimit në gjyqësor në vend për pasurinë miliona euro dhe për disa vendime të bujshme.

Korrikun e vitit 2020 kur Shqiptarja.com publikoi lajmin rreth planeve të PD-së për të kandiduar Gjin Gjonin për deputet, lajm që tërhoqi vëmendjen dhe reagimin e  përfaqësisë diplomatike të Perëndimit në Tiranë, Partia Demokratike tha se Gjin Gjoni nuk do të pranohej si kandidat pasi përjashtoheshin të gjithë ata që janë larguar nga detyra për shkak të vetingut apo që ka dhënë dorëheqjen nga funksioni në drejtësi pas hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut.

Pse tani nuk vlen ky kriter dhe  demokratët në Lezhë e meritojnë Gjin Gjonin në krye?

Po ditën e publikimit të lajmit në korrikun e 2020-s, ambasadorja e atëhershme e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim u dha një mesazh të fortë partive kryesore politike kur shkruante në Twitter: Paralajmërim, Teksa partitë përgatiten për zgjedhje, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën siglën e tyre. Ju lutem, verifikoni kandidatët tuaj, mos i fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin.

Përveç pasurisë vetëm të deklaruar 1 milionë euroshe, Gjin Gjoni mbahet mend për disa dosje të bujshme që i ka mbyllur si gjyqtar, ndërsa një prej të rëndësishme ka qenë ajo tentativës për grusht  shteti nga Berisha të 14-shtatorit 1998, që u mbyll dhe u arkivua pa asnjë të dënuar ndërkohë që organizatori i kryengritjes, Sali Berisha, as nuk është marrë në pyetje. Një lidhje midis gjyqtarit dhe politikanit dhe tani faktohet me kandidimin.

Rithemelimi do të zhvillojë zgjedhje në 19 degë të tij, Kryetarët e të cilave dhanë dorëheqje për garën për kryetarë bashkie në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Ora 14:00
Gjin Gjoni kandidat i Rithemelimit në Lezhë, reagon Gazment Bardhi

 

TIRANE- Ish gjyqtari Gjin Gjoni, i cili u bë simbol i drejtësisë së vjetër me pasurinë e tij prej sheiku dhe që u dorëhoq para vettingut, është një prej kandidatëve të Berishës për kryetar të degës së Lezhës. Vetë Rithemelimi e ka konfirmuar emrin 

Deputeti Gazment Bardhi në një reagim për gazetarët sot në konferencë për median tha se kemi të bëjmë me vetëkandidime që do të vlerësohen më pas nga komisioni zgjedhor në PD

"Kryesia e partise ka bërë një miratim të vetëkandidimeve apo propozimeve që kanë ardhur nga deget e partise pa hyrë ne emra konkret. Është komisioni që do të vlerësojë kandidaturat e paraqitura nga deget, dhe do të bëjë miratimin final të atyre që do futen në garë. Ka kritere statutore dhe nga komisioni zgjedhor në PD që do vleresohen. Rastin në fjale nuk e njoh, duhet të merrni informacion të zgjeruar te sekretariati i partisë" tha Bardhi.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?