Sali Berisha

Berisha pa parti e fuqi proteste, ‘toka e xanun’ dhe financimet ruse

20 Tetor 2023, 19:21| Përditesimi: 20 Tetor 2023, 19:26

  • Share

Sjellja e ditës së enjte e deputetëve që mbështesin Sali Berishën dhe Gaz Bardhin na solli atë ndjenjën e humorit të përzier, kur të vinte për të qeshur me lot, por dhe për të qarë po me lot.

Ishte një situatë komike kur shihje një njeri në pleqëri të thellë si Berisha që ka qënë për 33 vite në kupolën e politikës, herë në qeverisje e herë në opozitë, që ishte zgjuar që me natë, fundja burrat e kësaj moshe zgjohen herët, dhe në krye të deputetëve që e mbështesin, kaluan me kartë në dorë rojet e sigurisë së Parlamentit dhe hynë në sallën e seancave plenare.

Dikush që nuk i njeh, dhe që nuk e dinte se si veprojnë deputetët e Berishës të udhëhequr nga ai, mund të mendonte se mezi prisnin të debatonin me qeverinë dhe kolegët e tyre të mazhorancës për ndonjë ligj, për ndonjë komision hetimi parlamentar të pangritur, për të hetuar një situatë që është lënë mënjanë nga “drejtësia e kapur nga Edi Rama”.

Por Berisha dhe të tijtë nuk zhgënjejnë asnjëherë në inovacionet e tyre politike, që për fatin e shqiptarëve tashmë janë ‘kornizuar’ brenda sallës së seancave plenare të parlamentit, pa e shtrirë ndikimin as deri tek porta e hekurt ku po protestonin pensionistët dhe minatorët. Të cilët madje refuzuan dhe bashkëdrejtuesin në tentativë të komisionit të reformës zgjedhore Oerd Bylykbashi, duke i thënë të shkojë në punë të vet dhe të mos përzihej me protestën.

Kur deputetët e mazhorancës, punonjësit e administratës së Kuvendit të Shqipërisë, gazetarët e kameramanët si dhe rojet e brendshme të sigurisë, kanë hyrë në sallën e seancave, janë përballur me një situatë të pazakontë dhe të panjohur më parë. Deputetët e Berishës me liderin historik në krye kishin zënë vend në karrigen e kryetares së parlamentit, kryeministrit dhe të ministrave të qeverisë së Edi Ramës. Ndërsa salla poshtë ishte bosh!

Një trill pleqërie apo fëmije, ose ndoshta të dyja bashkë, me sa duket i kishte ‘yshtur’ për të zënë këto karrige të kabinetit qeveritar, duke u ndjerë dhe për pak, pas 10 vitesh të bërë ‘bakër’ jashtë pushtetit në opozitë, si një parti në qeverisjen e vendit. Ndoshta mendja e lodhur nga vitet dhe opozita e gjatë deri këtu e kishte cakun, duke ‘shtrydhur’ vetëm këtë lëvizje politike, që më shumë se sa traumë tek mazhoranca dhe te publiku shqiptar, shkaktoi humor dhe mëshirë, për vetë faktin se ku është katandisur një pjesë e opozitës e lideri i saj i vjetër dhe i ri njëherësh.

T’ia kishte bërë një skenar të tillë opozitës Edi Rama, do kishte marrë mbi kurriz gjithë goditjet e medias dhe publikut, si shkaktar për katandisjen e grupimit më të madh opozitar në këtë gjendje degradimi, sa të pranojë të ulet dhe të ndjejë ‘shijen’ e pushtetit për disa minuta apo dhe për një orë, në karriget e qeveritarëve në Kuvend. Madje do ta kishin quajtur cinizmin më të madh të botës të tallet me një njeri në pleqëri të thellë, truri i të cilit mund të pranonte dhe shakara të tilla degjeneruese dhe dëshpëruese.

Por Berisha dhe Bardhi e kishin mirëmenduar vetë këtë skemë të ‘goditjes së qeverisë’, njëri pa ‘gjunjë’ për shkak të pleqërisë për të dalë në bazë dhe aktivizuar mbështetësit opozitarë, tjetri i lindur pa ‘gjunjë’ për të bërë politikë jashtë perimetrit të studiove televizive, zyrës së partisë, gjykatave për një copë ‘vulë’ të PD apo sallës së Kuvendit.

Dhe këtu dëmi është akoma më i madh, pasi grupimi më i madh opozitar është ‘shtrydhur’ që më 15 maj të këtij viti për të bërë një lëvizje të fortë politike kundër atij që e quan ‘regjimi autokratik i Edi Ramës’, teksa na ka prezantuar ditën e enjte një nga shfaqjet më të denja për të qënë pjesë e emisioneve të humorit që shohim çdo fundjavë në ekranet televizive. Ta kishte bërë ndonjë prej këtyre drejtuesve të humorit një skenar të tillë, të interpretuar me aktorët e vet, do të kishte marrë të gjitha namët e opozitës, madje do ishin ‘kryqëzuar’ dhe nga panelet e qytetarët.

Por dhe Edi Rama ka ‘faj’ në këtë mes. Pasi i ka mundur 10 vite me radhë, dhe po një dekadë me sa duken bathët do t’i mundë, duke na garantuar me sa duket skena të tjera komike nga ky grupim i opozitës, për sa kohë në krye të tij të jetë Sali Berisha, dhe afër tij Gazment Bardhi, që ka kaluar ‘ylberin’, dhe paralajmëron furtunë opozitare nga studiot televizive dhe zyrat. Të cilët të dy bashkë, me ndihmën dhe të Flamur Nokës deklarojnë se do vijojnë të shfaqin skena të tilla në Kuvend, megjithëse janë të përjashtuar nga pjesëmarrja për 10 ditë. Madje kërcënojnë se do veprojnë fuqishëm deri në mosbindje civile ndaj qeverisë, duke paralajmëruar se sallën e Kuvendit këtej e tutje e kanë shpallur ‘tokë të xanun’ dhe nuk e lëshojnë. E bënë me selinë e PD buzë Lanës që e mbajnë në të ‘zezë’, pse të mos provojnë ta bëjnë dhe në sallën e Kuvendit.

Por përtej argëtimit që shqiptarët morën përmes këtyre shfaqjeve komike, ku Berisha fliste përmes linjës së facebookut, njëri nga sekretarët e përgjithshëm të Foltores, Noka kërcënonte se do të digjte Parlamentin, dhe prap Berisha që i thoshte kryetarit të grupit të mazhorancës që po mekej së qeshuri duke mbajtur brinjëy me dorë, që të ulej në vend e të pushonte, dhe pastaj qëndrimi në errësirë në sallën e Kuvendit ku Berisha dhe Bardhi kokë më kokë po vendosnin nëse do të qëndronin në të ftohtë e pa drita dhe të strukur afër njëri tjetrit për t’u ngrohur apo të iknin në shtëpi, pra përtej këtij komizmi, është e udhës të bëhemi dhe pak seriozë, të mbajmë të qeshurën, dhe të analizojnë se cilat ishin shkaqet e katandisjes së grupimit më të madh opozitar në këtë shkallë degradimi total.

Nuk po analizojmë argumentet që paraqesin Berisha e mbështetësit e tij për bllokimin e Kuvendit përmes hipjes në karriget e ministrave, që kanë të bëjnë me disa komisione parlamentare, që për hir të së vërtetës çështjet për të cilat pretendojnë t’i hetojnë, janë nën hetim nga ana e SPAK. Pra janë argumente foshnjore ato që paraqiten si arsye për të protestuar kundër mazhorancës së PS, që për të ushtruar pushtetin e saj në shërbim të qeverisjes së vendit, ka marrë votën në shumicë të qytetarëve shqiptarë në tre mandate radhazi, si asnjë parti tjetër politike në këtë vend.

Në krye të herës, një nga arsyet kryesore të kësaj lajthitjeje politike është mungesa e mbështetjes nga ana e demokratëve dhe qytetarëve për Berishën dhe ndjekësit e tij. Jo vetëm në ballafaqimet elektorale, por dhe në protestat e ‘fuqishme’ që ka paralajmëruar Berisha qysh në fundin e pranverës së këtij viti, me të cilat sipas tij do përballej Rama që në shtator, me fillimin e vjeshtës. I paralajmëroi me të madhe Berisha, duke thënë se vetëm me protesta dhe jo me votë mund të rrëzohej Edi Rama nga pushteti.

Erdhi shtatori, po ikën tetori dhe Berisha nuk ka mundur të mbledhë kokërr protestuesi për be që të dalë e të demonstrojë fuqinë e pjesëmarrjes dhe të japë mesazhin kundër qeverisë së Ramës. Madje dhe ata pak mbështetës që kishte një vit më parë, me sa duket janë larguar duke parë pafuqinë e Berishës, i cili u shtri në tokë nga një grusht i një të sëmuri mendor në mes të bulevardit, më 6 dhjetor të vitit të kaluar kur po protestonte në ditën e samitit të liderëve të vendeve anëtare të BE plus atyre të Ballkanit Perëndimor të organizuar në Tiranë.

Kjo solli që dhe protesta e paralajmëruar nga Berisha më 16 tetor, ditën e lindjes së udhëheqësit të tij shpirtëror Enver Hoxha që e kishte “revolucionin’ në ‘ADN’-në e tij publicistike dhe udhëheqëse, para liderëve të BE të mbledhur prap në Tiranë në Samitin e Procesit të Berlinit, të dështonte me shumë sukses. Jo vetëm se aleati i tij Ilir Meta ia bëri të qartë se nuk mund të arrinte deri këtu sa të provonte një protestë të dytë ditën e samitit të liderëve të BE në Tiranë, pasi do të bëheshin gazi i botës. Dhe Meta është distancuar deri në braktise, me Berishën.

Berisha pa që pjesëmarrja do të ishte vetëm nga deputetët ndjekës të tij, dhe më pak se gjysma e ‘trofesë’ së fituar kohët e fundit, Gaz Bardhi dhe deputetët që e ndjekin, pjesëmarrje që e ndoqi përgjysmë dhe në gallatën që bëri në sallën e Kuvendit ditën e enjte. Ndaj hoqi dorë nga protesta, dhe me sa duket ka hequr dorë përfundimisht, për shkak të pafuqisë së tij për të sjellë njerëz në Tiranë. Duke paralajmëruar se këtej e tutje do ketë protesta vetëm në sallën e Kuvendit, kryesinë e Kuvendit, ndoshta dhe në ndonjë zyrë tjetër dhe në panelet televizive. Por ama ka shumë inat, jo vetëm se Rama po vazhdon pafund kryeministër, por sepse po Rama mblodhi sërish liderët e BE në Samit në Tiranë, duke e kthyer Tiranën qendër të Europës. Që Berisha nuk e arriti kurrë.

Kjo tregon se mbështetja për Berishën, dhe pas rikthimit të Bardhit tek “baba”, ka rënë në nivelet e zeros, kjo e paralajmëruar që pas dështimit në zgjedhjet për herë të dytë në bashkinë e Kukësit, ku u përgjysmuan votat e grupit të “Foltores” që garoi nën siglën e Partisë së Lirisë së Ilir Metës. Pa llogaritur 250 mijë votuesit bojkotues të 14 majit, që mund të kalojnë vende vende te Basha.

Një arsye tjetër është se Berisha është pa parti. Drejton një lëvizje si “Foltorja”, ka dhe shumicën e deputetëve të opozitës, por kur vjen puna për të hyrë në garën elektorale, nuk ka as vulë dhe as logo partie që të hyjë në garë. Atë të PD e ka Basha dhe bën çfarë të dojë me të. Ndaj Berisha, dhe sikur sot të bëhen zgjedhje të parakohëshme, do detyrohet që kandidatët e tij t’i regjistrojë në emër të PL të Metës. Nëse sheh ndonjë përfitim Meta e pranon, ndyshe mbetet jashtë Berisha.

Dhe si për koncidencë ditën e djeshme, në gjykatë po diskutohej regjistrimi i dokumentacionit të zgjedhjes së Lulzim Bashës kryetar i PD në shtator të këtij viti, dhe për pasojë dhe marrja prej tij sërish zyrtarisht i vulës dhe logos së Partisë Demokratike. Asaj që ka mbetur po themi. Ndaj Berisha e kishte këtë shfaqjen komike dhe si presion ndaj drejtësisë për vendimin e pritshëm për ‘pronësinë’ e vulës dhe të logos së PD.

Ndoshta drejtësia është i vetmi ‘sektor’ që e ha presionin e Berishës, pasi dhe të enjten e shtyu këtë çështje dhe 10 ditë të tjera për ta shqyrtuar dhe vendosur. Të shohim si do zgjedhë drejtësia, do ‘sfidojë’ amerikanët dhe evropianët që kërkojnë drejtësi dhe distancim nga ‘non grata’, dhe kur e ke përballë ‘non gratën’ Berisha që bën të presion, apo do t’i nështrohen presionit të tij. Mbetet për t’u parë kjo.

Kreu i “Foltores’ ka dhe hallin e drejtësisë, ku dosja në ngarkim të tij por dhe të djalit Shkelzen Berisha e dhëndërit po hetohen nga SPAK. Duke filluar me shpërthimin e Gërdecit që mori 26 jetë të pafajshme, vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar 2011, privatizimin e ish kompleksit sportiv “Partizani”, pasuritë e familjes, dosja e aferës CEZ-DIA dhe dosje të tjera, të cilat janë nën hetim nga SPAK, po pyeten dëshmitarët dhe një ditë drejtësia do të vendosë si ta mendojnë ajo sado vonë të shkojë, për këto akuza që për shqiptarët janë të rënda.

Pra ka hall Berisha. Dhe në këto momente halli ‘kërcen dhe prifti nga belaja’ jo më Berisha i cili kryeson gjithë familjen që do të dëshmojë në SPAK për shumë e shumë akuza në kurriz të tyre. Ndaj ai bën si i fortë, jo me fuqi sa të shkaktojë ‘tallaze’ të forta me pasojë destabilizimin e vendit, por të paktën nëpër salla Kuvendi apo zyra, ‘stuhi në gotë’ me një fjalë, vetëm që të tregojë se është dhe ai aty. Qoftë dhe me shfaqje komike si ajo e ditës së enjte në sallën e seancave plenare të Kuvendit, ku deputetët u ulën në karriget e ministrave.

Ndoshta kjo përpjekje e Berishës për të tensionuar situatën në Shqipëri, është dhe si një detyrim për financimet që ka marrë kohë pas kohe nga Rusia. Të paktën gjysmë milioni dollarë e dimë se i ka marrë për të destabilizuar situatën në Shqipëri dhe rajon. Eshtë gjithëpranuar një fakt i tillë nga të gjithë, por dhe nga CIA amerikane.

Ndoshta Berisha duket se ka mbetur prapa me disa ‘detyrime’, apo i kanë kërkuar llogari për të justifikuar financimet e marra, ku në raport me Malin e Zi, që po mbush dy vite pa një qeverisje të qëndrueshme, në raport me Bosnjën ku Dodik po kryen siç duhet ‘detyrat’, në raport me Serbinë që organizoi grupe terroristësh serbë në veri të Kosovës duke e çuar situatën në prag të destabilizimit, por dhe me Kosovën ku segmente të caktuara të qeverisjes së saj, me apo pa dijeni i shërbejnë këtij tensioni në Veri për hesap të Moskës, Berisha ka mbetur shumë prapa me ‘detyrën’ e destabilizimit.

Nuk duam ta justifikojmë në këtë rast, por ajo që mund të themi është se dëshirën e ka shumë të madhe, por fuqinë e ka thuajse zero për të destabilizuar Shqipërinë dhe aq më pak rajonin e trazuar të Ballkanit. Eshtë një udhëheqës në pleqërinë e thellë, pa mbështetje e pa fuqi politike, madje dhe pa parti, përballë një Rame që po shton përditë e më shumë mbështetjen, në vend dhe në arenën ndërkombëtare. U pa dhe me 16 tetor, kur liderët më të mëdhenj të BE erdhën në Tiranë. Madje dhe një president francez vjen për herë të parë në një vizitë zyrtare. Ishte Macron.

Në fund të herës ajo që mund të themi është se investimi rus për Berishën, është një investim jo rentabël, është një investim i humbur dhe të mos presin prej tij asgjë, thjeshtë të ‘shijojnë’ dhe ata këto shfaqjet komike në sallën e Parlamentit. Përpos një ‘dore’ dore ndihme të munguar në këtë situatë lufte dhe agresioni ndaj Ukrainës, financuesit le të qeshin dhe ata me pak sforco, pasi kundërofensiva e Ukrainës ka kohë që ua ka ngrirë buzëqeshjen në buzë.

Në përfundim mund të themi se jemi shpresëplotë që Berisha siç ka premtuar, nuk do ndalet në situatat e fundit komike në Kuvend, por do na argëtojë pafund deri sa të shkojë te i Plotfuqishmi. Ajo që dime është se nga kjo situatë, demokratët jo vetëm që nuk po argëtohen fare, por po u plas shpirti nga kjo gjendje e degraduar ku është zhytur grupimi më i madh i opozitës. Të shpresojmë se do dalë dikush tjetër që do t’i kthejë seriozitetin opozitës, jo vetëm për të hequr dorë nga këto gomarllëqe që po shfaq Berisha por dhe për ta bërë opozitën alternativë pushteti.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?