Kronikë

Berisha ‘non grata’, Basha mbron ish-kryeministrin: Vendimi i DASH pa asnjë bazë konkrete, të bëhet transparenca e plotë! SHBA aleat i jonë strategjik

19 Maj 2021, 19:41| Përditesimi: 19 Maj 2021, 20:12

  • Share

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë pas vendimit të DASH për të futur ish-kryeministrin Sali Berisha në listën e zezë.

Basha ka mbështetur qëndrimin e ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në një reagim më herët, theksonte se vendimi është marrë pa asnjë bazë konkrete, ndërkohë që bën thirrje që të bëhet transparencë e plotë mbi çdo fakt e dokument.

Duke shprehur keqardhjen për vendimin, Basha thekson se Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që i ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit. Basha po ashtu nënvizon se ky vendim nuk cënon marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kreu i PD shton më tej, se konsideron SHBA-në aleat strategjik të rëndësishëm për Shqipërinë dhe luftën ndaj krimit të organizuar.

Basha e përmbyll shkrimin duke theksuar se Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

‘U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish Presidentin dhe ish kryeministrin  Sali Berisha. Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim. 

 Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta.

 Gjatë kohës që z. Berisha ishte Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte. Në të gjitha këto arritje partner kyç i Qeverisë Shqiptare ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për fat të keq, ndryshe ka ndodhur në këto 8 vite, ku për shkak të korrupsionit masiv në çdo sektor dhe lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro në zbatimin e reformave që i duhen vendit, si anëtar i NATO-s dhe aspirant për vend anëtar i Bashkimit Europian.

Vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cënon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar.

Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar.’- shkruan Basha.


Lajmi kryesor:

U shpall 'non grata' nga SHBA, Berisha bën 'fajtor' Sorosin: Në 30 vite s'jam akuzuar asnjëherë, bëni publike faktet! Basha i del në krah: Vendimi pa baza, të bëhet transparencë


M.Q.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?