Grupimi për PD

Politikë

Berisha në ‘listën e zezë’ të DASH, grupimi ‘Për PD’ kërkon shtyrjen e zgjedhjeve brenda partisë! Do propozojë 2 emra për kryetarin e ri

20 Maj 2021, 13:32| Përditesimi: 20 Maj 2021, 15:10

  • Share

Report TV mëson se grupi më kritik ndaj kreut të PD Lulzim Basha, grupimi ‘Për PD’ për shkak të situatës ku ndodhet Partia Demokratike ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve për kryetarin e ri të partisë të planifikuara më 13 qershor. Sipas tyre caktimi i datës 13 qershor për zgjedhjen e kryetarit të partisë, është në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike.

"Mbetemi të bindur dhe gjykojmë me përgjegjësi se caktimi i datës 13 qershor 2021 për zgjedhjen e kryetarit të partisë, është në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike. Një vendim i tillë paragjykon, ende pa filluar gara zgjedhore, rezultatin e saj! Aq më tepër dhe sidomos sepse një afrim i tillë i datës, duke ju shmangur datës 22 korrik 2021, të parashikuar nga Statuti i Partisë Demokratike të Shqipërisë si data më e afërt për zhvillimin e zgjedhjeve, nuk bazohet në asnjë përcaktim statutor dhe/ose nevojë të qenësishme, të kushtëzuar nga gjendja dhe zhvillimet politike. Përkundrazi, gjykojmë se mundësimi i shtyrjes së datës së zgjedhje dhe zhvillimit të fushatës zgjedhore për kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë në një kohë politikisht më të përshtatshme, duke pasur parasysh zhvillimet, është në dobi jo vetëm të Partisë, por edhe të vendit dhe të kombit tone”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.

Burime për gazetaren e Report Tv Daniela Maloku bëjnë me dije se ndërkohë grupi për PD do të propozojë dy emra për garën për kryetarin e ri të Partisë Demokratike.  Sot ose nesër, 'Grupi për PD" pritet të dalë edhe me një deklaratë për shtyp, ndërkohë që nesër do të depozitojnë pranë selisë blu zyrtarisht dy kandidaturat. Propozimi për shtyrjen e zgjedhjeve vjen për shkak të shpalljes së Sali Berishës në listën e zezë të DASH, e cila ka krijuar një situatë jo të qetë në rradhët e PD.

Në një intevistë për Report Tv 3 ditë më parë, anëtari i grupimit 'Për PD-në', Bislim Ahmetaj, ka thënë si kandidaturë për kryetar të PD vetë ai është për zonjën Edith Harxhi, por flitet që kandidati tjetër mund të jetë dhe ish-kreu i PD në Kukës Ibsen Elezi. Ndërkohë që deri më tani ka bërë publike kandidaturën e tij përballë Bashës, anëtari i kryesisë së PD Fatbardh Kadilli. Afati përfundimtar për dorëzimin e kandidaturave është kjo e shtunë, ndërsa të dielën kryesia pritet të miratojë kandidatët e propozuar për kreun e PD.

Sipas grupit për PD të gjitha partitë politike në Shqipëri  kanë nevojë për një reformë serioze pasi sipas tyre edhe PD nëse ka në krye Bashën nuk do të prodhojnë politikë serioze. I pari që e kërkoi dorëheqjen e Bashës  ishte anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, më pas ish presidenti Bujar Nishani dhe Arben Ristani duke u pasuar nga një numër shumë i madh demokratësh të tjerë.  

Ora 15:05
Grupi ‘Për PD’ dorëzon kërkesën për shtyrjen e zgjedhjeve për kryetarin e partisë

Me anë të një kërkese drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike dhe kryesisë së kësaj partie, grupi “Për PD”, kërkon shtyrjen e datës së zgjedhjeve për kryetarin në PD, e cila u vendos më 13 qershor në Këshillin Kombëtar, i cili u mbajt ditën e diel.

Sipas tyre caktimi i datës 13 qershor 2021 për zgjedhjen e kryetarit të partisë, është në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike.

Kërkesa e plotë:

Ne, pjesëtarët e grupit “Për PD”, në Partinë Demokratike, në vijim të Deklaratës sonë dt. 17 maj 2021, mbetetmi të bindur dhe ripohojmë se: “Nxitimi për hapjen e zgjedhjeve nuk ka për qëllim analizën dhe reformimin e partisë, por eleminimin e debatit në rradhët e partisë dhe të një gare të hapur. Vendimi i Këshillit Kombëtar për hapjen e parakohshme të zgjedhjeve është i pajustifikuar.”.

Për këtë arsye gjykojmë se është në dobi të Partisë Demokratike të mirëkuptohet dhe të trajtohet me përgjegjësinë e duhur politike dhe institucionale kërkesa jonë, e cila është:

Shtyrja e datës për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, caktuar për në datën 13 qershor 2021.

Mbetemi të bindur dhe gjykojmë me përgjegjësi se caktimi i datës 13 qershor 2021 për zgjedhjen e kryetarit të partisë, është në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike. Një vendim i tillë paragjykon, ende pa filluar gara zgjedhore, rezultatin e saj! Aq më tepër dhe sidomos sepse një afrim i tillë i datës, duke ju shmangur datës 22 korrik 2021, të parashikuar nga Statuti i Partisë Demokratike të Shqipërisë si data më e afërt për zhvillimin e zgjedhjeve, nuk bazohet në asnjë përcaktim statutor dhe/ose nevojë të qenësishme, të kushtëzuar nga gjendja dhe zhvillimet politike.

Përkundrazi, gjykojmë se mundësimi i shtyrjes së datës së zgjedhje dhe zhvillimit të fushatës zgjedhore për kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë në një kohë politikisht më të përshtatshme, duke pasur parasysh zhvillimet, është në dobi jo vetëm të Partisë, por edhe të vendit dhe të kombit tonë.

Ne, pjesëtarët e grupit “Për PD”, në Partinë Demokratike të Shqipërisë, paraqesim këtë Kërkesë, të bindur dhe të përgjegjshëm se mundësimi dhe zhvillimi i një gare zgjedhore të ndershme dhe të besueshme për kryetarin e Partisë Demokratike i shërben, në rradhë të parë dhe sidomos, vetë Partisë, antarëve dhe mbështetësve të saj, por edhe Shqipërisë dhe kombit tonë.

Duke mbetur në pritje të përgjigjes, shprehim edhe një herë gjithë përkushtimin tonë për të marrë pjesë me përgjegjësi në reformimin e thellë dhe të domosdoshëm të Partisë Demokratike të Shqipërisë, për t’a ribërë atë mbartësen e shpresës së humbur të shqiptarëve, si në vitin 1990,   shprehësen politike dhe institucionale të vlerave më të mira që dallojnë një parti të qendrës së djathtë, si dhe vlerave të popullit dhe kombit shqiptar!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?