Komisioni i Rithemelimit

Deklaroi se Berisha mbështetet nga influencat ruse, Komisioni i Rithemelimit padit për shpifje deputetin e PD, Kreshnik Çollaku

28 Shkurt 2022, 13:55| Përditesimi: 28 Shkurt 2022, 14:04

  • Share

Komisioni i Rithemelimit ka paditur deputetin e Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku për shpifje. Sipas Komisionit të Rithemelimit, në debatet e zhvilluara me dyer të mbyllura në selinë blu, më 11 dhe 12 janar, pak ditë pas protestës së dhunshme të 8 janarit, deputeti i PD ka thënë se ish-kryeministri Berisha mbështetet nga influencat ruse dhe kisha ortodokse.

Sipas këtij Komisioni, deklaratat e deputetit kanë qenë të qëllimshme dhe janë shpifje. Ndër të tjera, Komisioni i Rithemelimit me në krye Sali Berishën, thotë se deklarata e Çollakut në situatën ku ndodhet Partia Demokratike, janë tejet të rënda, dhe rrisin tensionet brenda kësaj force politike dhe përçarje në besimet e ndryshme fetare të anëtarësisë së PD.

"Këto deklarata lëshuar qëllimisht në kulmin e krizës brenda Partisë Demokratike nga deputeti Kreshnik Çollaku, edhe pas dhunës së ushtruar ndaj protestuesve të PD nga Policia e Shtetit por edhe nga njerëz të armatosur brenda selisë së kësaj partie nga mbështetës të ish-kryetarit Basha më 8 janar 2022, kërkojnë të manipulojnë opinionin publik që jo vetëm kjo lëvizje financohet nga bruime të dyshimta, por ato janë burime që lidhen me mbështetje nga forca destruktive anti-shqiptare dhe me besime fetare të ndryshëm nga ai mysliman."-thuhet në padinë e Komisionit të Rithemelimit.

Protesta e datës 8 janar e thirrur nga Sali Berisha krijoi nervozizëm të jashtëzakonshëm tek anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike, të cilët e shprehën në rastin më të parë. Panorama ka zbardhur debatin me dyer të mbyllura ku nuk kanë munguar dhe deklaratat bombastike si ajo e deputetit Kreshnik Çollaku, i cili tha se pala tjetër është e nxitur edhe nga influencues rusë dhe kisha ortodokse e ndikuar nga rusët.

"Këto janë inteligjencat ruse me kishën ortodokse. Influencat e kundërshtarëve të Amerikës. Ata që i sollën te dyert e godinës ishin miqtë tanë të një jete, si mund ta lejonin ata këtë dhe aq më tepër si mund ta lejojnë sot pa u distancuar prej saj. Atë ditë, Zoti e bëri që në godinë të mos kishte viktima. Dhuna për mua është një kufi ndarës me këdo. Ndaj, unë mendoj me këdo që nxiti apo përdori dhunë ndaj nesh, kolegeve e ish-miqve të tyre, nuk ka çfarë na mban më bashkë. Në këtë parti dhunuesit dhe të dhunuarit nuk mund të rrinë më bashke."-deklaroi Çollaku asokohe.

(Kliko ketu per te lexuar padine e plote)

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?