Sali Berisha

Berisha dhe armiqtë e pandershëm të Report TV

1 Dhjetor 2023, 10:02| Përditesimi: 1 Dhjetor 2023, 14:02

  • Share

Është i njohur sikleti që Report TV dhe gazetarët e tij i kanë shkaktuar dhe i shkaktojnë liderit më të korruptuar dhe antidemokrat në Shqipërinë dhe Ballkanin e sotëm, Sali Berisha.

Është e njohur që Sali Berisha nuk fal kur mendon se je shkaktar i “fatkeqësive politike” të tij! Ai mobilizon gjithçka i ka mbetur për të denigruar një kundërshtar. Në të vërtetë, në demokraci, përplasja e të kundërtave do të ishte një bekim, pasi në përplasjen e të kundërtave del e vërteta. Shkëlqen ajo që në një diktaturë do të fshihej nën frikën dhe ndrydhjen e fakteve. Bota mbahet në këmbë me ekuilibrin e të kundërtave! Por me Sali Berishën, me mediat, gazetarët, ish-nënpunësit dhe, fatkeqësisht, edhe familjarët e tij, ky ligj nuk funksionon. Për të, (dhe e njohim mirë) ka vlerë dhe përdoret si armë ndaj kundërshtarëve vetëm shpifja dhe gënjeshtra. Asnjë fjalë, asnjë fjali, asnjë argument, i hedhur në treg, i prodhuar me diletantizëm, keqdashësi, perversitet kundër Report TV, nuk është i vërtetë. Fjalori i përdorur prej tyre është i ulët, i turpshëm, ofendues.

Është i njohur fakti se për gënjeshtra të mëparshme Sali Berisha mori dhe të parën dhe të vetmen damkë deri tani nga një gjykatë shqiptare si “Shpifës”. Por as kjo damkë nuk e ndalon të vazhdojë e të gatuajë çorbën më të hidhur, me përbërësit më të kalbur e të deformuar për kë i çel një dritë dhe i tregon botës shëmtinë e veprimeve si politikan, por edhe si njeri i intrigave.

Këto ditë po e bën për Report TV, dje e bënte për Ambasadoren Yuri Kim, pardje për prokuroren Ina Rama. E bën për Spak sepse “po guxon” të kuptojë se si u bënë miliarderë familjarisht. E bën me mjetet më të pista që mund të prodhojë një mendje njerëzore. Sali Berisha, për sasinë dhe ligësinë e prodhuar në vite ndaj kundërshtareve të ndryshëm meriton të quhet: Doktori i zemrës së pisët!

Një gazetar i njohur dhe i talentuar ndërsa fliste për librin e tij të fundit dhe të suksesshëm në një televizion shqiptar, bëri një prej deklaratave më të dhimbshme që mund të jetë dëgjuar: “Kam shtatë vite që nuk flas asgjë! Nuk them asgjë as ndaj qeverisë, as ndaj opozitës!” Në një vend të vogël si Shqipëria, ku të gjithë njihen, e disa edhe mund të besojnë, përbaltja, sulmet e pandershme, rëndojnë më shumë se në çdo vend tjetër, çdo fjalë ka peshë të shumëfishuar, por dorëzimi nuk është zgjidhje, dorëzimi nuk i bën mirë përparimit dhe përmirësimit të jetës tonë.

Sali Berishës i shtohet edhe “një meritë” tjetër mes “medaljeve” që ai ka marrë si minues i demokracisë dhe i korruptuar: Ai këto ditë, bashkë me të tijët, po fiton medaljen e pandershmërisë në betejën e luftës me të vërtetën. Dhe, një armik i pandershëm, nuk meriton as të quhet armik.  

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Balo Bënça: 01/12/2023 13:14

    E pra ky ishte komunisti! U soll në një sistem tjetër dhe e pamë se çfarë bëri... Njerëz si Berisha duheshin pushkatuar që më 1991 te kolonat e pallatit të kulturës Tiranë,siç shkruan Kadare në një poemë...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?