Berat/ Vdekja e 3-vjeçares në spital 5 vite më parë, apeli lë në fuqi vendimin, mjekja dënohet me dy vite shërbim prove! Prindërit: Të futet në burg

5 Maj 2022, 13:45| Përditesimi: 5 Maj 2022, 19:46

  • Share

BERAT- Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për dënimin e mjekes me dy vite shërbim prove, e cila u akuzua për vrasjen e 3-vjeçares Iza Dërrasa 5-vjet më parë.

Ndonëse prokurori Dritan Gripshi kërkoi në 2018 për mjeken pediatre Shpresa Karkanjozi 4-vite burg dhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit. Gjykata e Beratit vendosi dënimin me një vit burg për mjeken për kryerjen e veprës penale "Mjekim i Pakujdesshëm", dhe  heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit për dy vjet, por dënimi iu konvertua në shërbim prove.

Disa ditë më parë, Gjykata e Apelit Vlorë e mbylli gjykimin e saj, ndërkohë që dje ky vendim u ekzekutua edhe nga Prokuroria e Beratit. Që prej ditës së sotme fillon edhe ekzekutimi i vendimit për mjeken pediatre Shpresa Karkanjozi, e cila do të kryeje dy vjet shërbim prove.

Prindërit e vajzës që humbi jetën në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal Berat, Zhevair dhe Anila Dërrasa nuk janë dakord me këtë vendim të dhënë edhe nga apeli i Vlorës dhe kërkojnë "burgim" për mjeken që i mori jetën vajzës së tyre. Ata deklarojnë se do ta ndjekin çështjen edhe në instanca më të larta dhe nuk do të gjejnë asnjë ditë paqe derisa mjekja të dënohet me burgim për krimin e kryer. Ata akuzojnë mjeken Shpresa Karkanjozi se edhe pse nuk duhet ta ushtronte më profesionin si mjeke, nuk ka reshtur asnjë ditë së punuari fshehurazi brenda ambienteve të një farmacie në qytet. Mes lotësh e dhimbjeve dhe pas dergjjes prej 5-vjetën në sallat e gjykatave, ata kërkojnë drejtësi për vdekjen e vajzës së tyre.

3-vjeçarja Iza Dërrasa gjeti vdekjen në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit, ku ishte e shtruar prej 2-ditësh. Ngjarja e rëndë ndodhi në 23 Janar 2017,kur vogëlushja Iza Dërrasa ndërroi jetë, për shkak të mjekimit të pakujdesshëm dhe neglizhencës së mjekëve të këtij Reparti.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?