Berat/ Çelet festivali i Teatrit '1 mbi 1 dritaret'! 10 trupa të teatrit të fëmijë do të performojnë në 10 net

2 Qershor 2022, 16:49| Përditesimi: 2 Qershor 2022, 16:55

  • Share

BERAT- ‘1 mbi 1 dritaret” është Festivali Kombëtar i Teatrove për fëmijë, ku artistë të vegjël nga 10 qytete do të përformojnë çdo natë në kalanë historike të Beratit.

Nata e parë e këtij eventi, u çel me shfaqjen “Pas vdekjes”, luajtur nga trupa teatrore e Beratit.

Artistë të moshës 8-16 vjeç  nga i gjithë vendi do të ngjiten në skenën e qytetit muzeal për 10 net me radhë, një risi kjo që për kryebashkiakun Ervin Demo do të kthehet në një traditë të përvitshme.

 “Do jenë plot dhjetë net ku do të kemi qytetet kryesore të Shqipërisë që do të marrin pjesë, si Tirana, Durrësi, Kukësi, Shkodra etj. Kur shikon një trupë të talentuar fëmijësh, arti merr një dimension tjetër. Dhe unë jam i bindur që këto do jenë një mundësi shumë e mirë jo vetëm për banorët e qytetit por edhe për turistët që vizitojnë Beratin”, tha Kreu i Bashkisë Berat, Ervin Demo.

Për artisten dhe anëtaren e jurisë së festivalit, Zamira Kita, evente të tilla janë të rëndësishme për edukimin e brezave të rinj me dashurinë për artin e kulturën.

"Është i vetmi event kombëtar qe ne kemi për fëmijët, veç Festivalit të këngës. Teatri është shumë i rëndësishëm për fëmijët. Arti dhe kultura, duke i rritur me dashurinë për artin dhe kulturën nesër do të bëhen më të mirë. Shfaqja e parë e Beratit ishte shumë e bukur", tha Kita.

Festivali Kombëtar i Teatrit për fëmijë do të vazhdojë deri më 10 qershor në Kalanë e qytetit.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?