Beogradi sërish në zgjedhje

3 Mars, 15:59| Përditesimi: 3 Mars, 16:03

  • Share

Zgjedhjet për pushtetin në kryeqytetin e Serbisë, do të rimbahen më vonë gjatë këtij viti, thanë të dielën autoritetet serbe. Njoftimi pasoi disa muaj tensionesh politike në rritje rreth pretendimeve se partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiç, mashtroi në zgjedhjet për kuvendin e qytetit të Beogradit.

Partia Përparimtare Serbe e krahut të djathtë u shpall fituese e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit. Por aleanca kryesore opozitare, Serbia Kundër Dhunës, këmbënguli se asaj iu vodh fitorja në Beograd dhe votimet për parlamentin e vendit u dëmtuan gjithashtu nga parregullsi të përhapura. Mosmarrëveshjet çuan në protesta të mëdha në rrugë.

Nuk është e qartë se kur do të mbahen zgjedhjet e reja në Beograd, e diela ishte afati i fundit që duhej të ishte mbledhur kuvendi komunal.

“Konstatoj se aktualisht nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës dhe ju njoftoj se nuk janë plotësuar kushtet e parapara me ligjin për vetëqeverisjen lokale për konstituimin e Kuvendit të qytetit të Beogradit. Kjo do të thotë zgjedhje të reja”, tha Toma Fila, kryetar i Kuvendit të Beogradit.

Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë hedhur poshtë pretendimet për manipulime, duke i cilësuar ato të sjuara që synojnë destabilizimin e Serbisë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, thanë në fillim të kësaj jave se votimet e dhjetorit u mbajtën në "kushte të padrejta", pjesërisht për shkak të përfshirjes së presidentit dhe avantazheve që i krijon sistemi partisë në pushtet.

Raporti i OSBE/ODIHR-it në Evropë tha gjithashtu se zgjedhjet ishin “dëmtuar nga retorika e ashpër, animet në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.

Ai renditi një sërë rekomandimesh që Serbia duhet të përmbushë përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Politikanët e opozitës thanë se zhvillimet në Beograd dëshmuan se presidenti Vuçiç humbi pushtetin prej një dekade në kryeqytetin serb.

“Sot ata pranuan se i humbën zgjedhjet pavarësisht vjedhjeve të përmasave të mëdha. Qytetarët e Beogradit kanë treguar se nuk i duan ata”, tha Vladimir Obradoviç, kandidat i opozitës për postin e kryetarit të Beogradit.

Opozita dhe disa vëzhgues lokalë të zgjedhjeve thanë se votues nga jashtë janë përfshirë në listat e votuesve në Beograd dhe janë dërguar me autobusë në ditën e zgjedhjeve për të votuar për partinë në pushtet.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por presidenti Vuçi është përballur me akuza për kufizimin e lirive demokratike që kur mori kontrollin mbi pushtetin mbi një dekadë më parë./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?