Fredi Beleri

Beleri simboli i ri i Greqisë për në PE, Strasburgu ‘fiton’ një hidraulik

16 Prill, 20:40| Përditesimi: 16 Prill, 20:44

  • Share

Nga Greqia mbërriti lajmi se Fredi Bejleri, kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës është përzgjedhur në listën e kandidatëve për eurodeputet nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, pavarësisht se është në burg i dënuar me dy vite heqje lirie për korrupsion zgjedhor dhe pret vendimin përfundimtar të Apelit.

Kreu i qeverisë greke i ka bërë vend progonatasit Bejleri në listën prej 42 kandidatësh të partisë që ai drejton, “Demokracia e Re”, për të garuar në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, me shpresën se do të jetë njëri ndër eurodeputetët e rinj të partisë së tij.

Eshtë zyrtare kandidatura e tij, dhe para janë zgjedhjet që do të zhvillohen në qershor të këtij viti ku secila nga partitë politike greke ka listën e saj të kandidatëve, për të garuar për sa më shumë vende në Parlamentin Evropian, nga ‘hisja’ e caktuar për shtetin grek për këtë qëllim, e shanset për Bejlerin që të jetë eurodeputet varen nga votat e grekëve të thjeshtë votues.

Ne vërtetë e urojmë Mitsotakisin për këtë zgjedhje që ka bërë, por urojmë po ashtu që Bejleri të jetë eurodeputet, pasi fundja do të përfaqësojë njëherë e mirë pikërisht ata që ka më shumë për zemër, të paktën kështu deklarohet, grekët dhe shtetin grek. Për të cilët është skrapatuar shumë.

Por mediat greke kanë një qëndrim të përzier në lidhje me kandidimin e Bejlerit për eurodeputet në listën e “Demokracisë së Re” të Kyriakos Mitsotakis. Shumë nga këto media e lidhin futjen e Bejlerit në listat e kandidatëve për eurodeputet, me nevojën e Mitsotakisit për të thithur votat e nacionalistëve e të ekstremistëve në Greqi, tashmë që partia përfaqësuese e tyre, “Agimi i Artë” është nxjerrë jashtë ligjit në këtë vend dhe thuajse tërë lidershipi i saj është në burg.

Se sa mund të arrijë Mitsotakis të thithë këto vota me kandidimin e Bejlerit për eurodeputet në listën e partisë së tij, aktualisht në qeverisje, mbetet për t’u parë në qershor. Por sinjalet e para janë dhënë nga vetë votuesit grekë. Një pjesë e madhe e të cilëve nuk e konceptojnë dot që një shqiptar, janë të mirërëinformuar se nuk ka asnjë gram gjak grek Bejleri në dejet e tij, të jetë në listën e ngushtë të kandidatëve të partisë më të madhe qeverisëse në vend, dhe të përfaqësojë grekët në Parlamentin Evropian. E kanë të pamundur ta kuptojnë një gjë të tillë, dhe për pasojë është thuajse e pamundur që një kontigjent i tillë votuesisht të hedhë votën për të në zgjedhjet e qershorit për ta bërë eurodeputet.

Një pjesë tjetër e votuesve as që e njohin fare Bejlerin, pasi nuk kanë pasur ngenë të lexojnë mediat, në ato cepa ku ka zënë vend artikulli për Bejlerin. Pra nuk e njohin fare dhe do të vijojnë të votojnë sikurse kanë votuar traditcionalisht.

Një pjesë tjetër, mendon se pikërisht ai që e përdori Bejlerin, Mitsotakisi, në zgjedhjet vendore humbi dy nga bashkitë më të mëdha në vend, Athinën dhe Selanikun. Pra “Demokracia e Re” e Mitsotakis ka humbur jo pak, por dy emblemat e Greqisë politike. Pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore, kandidatët që mbështeste qeveria e Mitsotakis kanë humbur bashkitë kryesore të Greqisë, Athinën e Selanikun.

Kostas Bakojanis, që është edhe i afërm i kryeministrit grek, ka rezultuar humbës përballë Haris Doukas, kandidat i mbështetur nga PASOK. Në Selanik, qytetin e dytë më të madh pas Athinës, fitues është shpallur Stelios Angeloudis, që kandididoi si i pavarur por që u mbështet në këtë fitore po nga PASOK, përballë Konstandinos Zervas, kandidatit të Demokracisë së Re të Mitsotakis.

Shembulli është i qartë: përdorimi i Bejlerit si ‘kalë beteje’ për të fituar votat e ekstremistëve dhe për të maksimalizuar votat në favor të “Demokracisë së Re”, në kulmin e debateve për arrestimin e tij në Shqipëri për korrupsion zgjedhor, nuk shtoi asnjë votë. Përkundrazi e rrënoi partinë e Mitsotakisit, pikërisht në dy bastionet kryesore të saj të viteve të fundit. Dhe logjika e ftohtë e votuesit greke pikërisht në këtë përfundim arrin.

Tashmë që beteja për Bejlerin është humbur nga qeveria greke si në planin dypalësh në raport me Shqipërinë, e cila nuk ka lëvizur nga pozicioni i vet duke ia lënë gjithçka në dorë drejtësisë që e dënoi Bejlerin me dy vite burg, ashtu dhe në planin ndërkombëtar, që solli daljen e SHBA, BE e Britanisë kundër, deri në marrjen e vendimit për heqjen e vetos për zgjerimin e BE, përdorimi i Bejlerit në zgjedhjet për eurodeputet në qershor, do të humbë akoma më shumë vota.

Por duke dalë përtej teknicialitetit të thithjes së votës e cila rezulton një bllof, ajo që ka zhgënjyer politikën greke, deri dhe ministrin e Jashtëm grek që ka dalë zyrtarisht kundër kryeministrit të tij Mitsotakis por dhe mediat e qytetarët, është fakti se cila do jetë fytyra e re e Greqisë me Bejlerin eurodeputet ose qoftë dhe si kandidat për deputet, në raport me fqinjin e saj Shqipërinë, vendet e rajonit si dhe vendet aleate, anëtarët e BE ku dhe Greqia bën pjesë, SHBA dhe Britania e Madhe.

Për hir të së vërtetës kandidimi i Bejlerit si eurodeputet, ndërsa gjendet duke vuajtur dënimin me burg në Shqipëri për blerje votash, Tiranës zyrtare i volit shumë. Jo vetëm sepse merr fund ‘saga’ e përpjekjeve të Greqisë për ta quajtur çështjen ‘Bejleri’ si një çështje evropiane, por kandidimi për eurodeputet e kthen tërësisht në dypalëshe e si çështje të tejkaluar tashmë dhe i jep një ‘asist’ në dorë Shqipërisë që në çdo rast debati me Athinën zyrtare, të tregojë me ‘gisht’ Bejlerin eurodeputet si prova më e fortë e ‘cic miceve’ ballkanike që ka luajtur fqinji ynë jugor në kurriz të vendit tonë.

Madje mund ta përdorë në procesin e integrimit në BE dhe si një fakt krahasues për plotësimin e kushteve, nëse Greqia apo ndonjë vend tjetër arrin dhe artikulon pengesa të tilla, të tipit se ‘janë në politikë politikanë të kriminalizuar’ dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Menjëherë do përmendet fakti se në Parlamentin Evropian është zgjedhur një i dënuar me burg, për korrupsion zgjedhor, pra për blerje votash, si Fredi Bejleri përfaqësues i Greqisë. Madje është zgjedhur nga qelia.

Njëherësh Bejleri nëse zgjidhet eurodeputet nga burgu në emër të partisë së Mitsotakis, është dhe një ‘aset’ në përballjen herët apo vonë mes Greqisë dhe Shqipërisë për kufirin detar. Pasi Bejleri, tërë fushatën e tij për kryetar bashkie i Himarës por dhe tërë jetën e tij politike, ia ka kushtuar ‘betejës’ për helenizimin e jugut të Shqipërisë. Madje e ka platformë këtë, është dënuar dhe nga gjykatat shqiptare për përdhosje të simboleve kombëtare, dhe se përdorimin e flamurit të “Vorio Epirit’ në të gjitha takimet e tij elektorale ose jo në jug të vendit e kishte publik. Pa harruar këtu përpjekjen me armë të dorë në përbërje të komandove të terroristëve grekë në vitin 1994, teksa sulmuan postën kufitare të Pëshkëpisë dhe u vranë disa ushtarakë shqiptarë.

Zgjedhja e Bejlerit dhe më e pakta kandidimi i tij në emër të Mitsotakis për të përfaqësuar Greqinë në Parlamentin Evropian, i ‘certifikon’ të gjitha përpjekjet e fqinjit tonë jugor për të përfituar territorin tonë detar apo helenizimin e jugut të vendit. Kuptohet, duke përdorur dhe përfaqësuesit e një pjese të politikës shqiptare, pasi koalicioni “Bashkë Fitojmë” i drejtuar nga Berisha e kandidoi Bejlerin për kryetar të bashkisë së Himarës. Pikërisht ai Sali Berishë që i fali detin Greqisë kur ishte kryeministër, territor që shpëtoi vetëm falë vendimit dinjitoz të Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi unanimisht atë, për prekje të sovranitetit dhe cënim të territorit shqiptar. Vendimi aty është, dhe SPAK-u po aty është, por ka radhë me sa duket për dosjet e mëdha.

Ndërkohë që kandidimi i Bejlerit për deputet nga Mitsotakis në listën e partisë së tij, tregoi fare qartë se kush është Bejleri dhe kë përfaqëson progonatasi i vetëdeklaruar grek. Për hir të së vërtetës ai ka qënë dhe është përfaqësues i qarqeve më ekstremiste greke në Shqipëri, madje “Agimit të Artë’ që dhe në Greqi është nxjerrë jashtë ligjit, dhe aspak i qytetarëve shqiptarë të Himarës. Vetë votimi në këshillin bashkiak për kryetaren në detyrë të Bashkisë Blerina Bala dhe me votat e këshilltarëve të opozitës, tregoi qartë se Bejleri s’përfaqëson asgjë në Himarë.

Fundja me kandidimin e Bejlerit për eurodeputet, Athina zyrtare hoqi një ‘gjyle’ që kishte nëpër këmbë Tirana zyrtare, pasi tani e tutje do të jetë një përfaqësues i popullit grek në Greqi, ose sëpaku do të tentojë për një qëllim të tillë, dhe nuk ka të bëjë aspak me Himarën dhe zyrtarisht, pasi shpirtërisht s’kishte asnjë lidhje me të. Përpos interesit.

Por në fund të herës ai që mbetet është fakti se që në momentin kur është futur nga Mitsotakis në listat e partisë që drejton si kandidat për eurodeputet, politika zyrtare dhe jo zyrtare greke tashmë ka marrë pamjen e portretit të Fredi Bejlerit. Eshtë vërtetë aspak dinjitoze rënia në këtë shkallë e fqinjit tonë jugor. Ndonëse fqinjin nuk e zgjedh. Në rastin konkret, Bejleri e ka zhytur më thellë politikën zyrtare greke në lojën e vogël e meskine të makinacioneve ballkanike. Duke i hequr rolin e lidershipit në rajon.

Mbetet për t’u parë fjalimi i parë i Bejlerit në Parlamentin Evopian, nëse zgjidhet në qershor eurodeputet pasi i duhen mbi 200 mijë vota, teksa do të flasë në emër të popullit grek, faqet e para të mediave që do vendosin flamurin grek me fytyrën e Bejlerit mbi të apo në sfond. Gallatë duan dhe mediat. Të cilat do të identifikojnë politikën e re greke me portretin e Bejlerit. Kaq pak duhet për të zhbërë një jetë të tërë politike qindravjeçare greke në funksion të emrit të këtij vendi. Mjafton një inat ballkanik, një grusht vota dhe një person i tillë pa një gram gjak grek dhe pa një gram nacianalizëm fundja grek, për të ulur prestigjin e një vendi si Greqia.

Pjesa tjetër është në rregull, pasi kushdo nga Ballkani, përfshirë dhe Shqipërinë, por dhe aleatët tanë të mëdhenj, SHBA, BE e Britania, e kanë më të lehtë që për gjithçka të drejtojnë ‘gishtin’ nga ‘simboli’ i politikës greke, Fredi Bejleri. Pa thënë asnjë fjalë, i kanë thënë të gjitha. Pasi vetë Athina zyrtare vendosi të përfaqësohet, të flasë e të veprojë me emrin e Bejlerit, si simbol të politikës së saj në Parlamentin Evropian. Ne thjeshtë themi: Ta gëzojnë Bejlerin, ua kemi ‘falur’.

Për pak harruan. Jo vetëm Greqia gjeti fytyrën e saj të re përfaqësuese dhe simbolin e ri në PE të identifikuar me portretin e Bejlerit. Dhe vetë Parlamenti Evropian është në rregull, e ka mbyllur më në fund ‘hallin’ për një hidraulik nëpër salla, pasi Bejleri hidraulik i kualifikuar është. Nuk kemi asgjë me profesionin e nderuar të hidraulikut, madje këtu i kemi si ujin e paktë. Ndërkohë që nuk japim garanci se do të mundë të ngrejë dhe ndonjë dyqan peshku aty afër, se ka procedura shumë të ashpra andej thonë. Por dhe mund t’ia dalë. Ku i dihet!/Java

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?