Bekim Fehmiu "ringjallet" në
një pullë postare të Kosovës

6 Dhjetor 2013, 20:05| Përditesimi:

  • Share
PRISHTINË - Posta e Kosovës ka promovuar të enjten pullën postare që i kushtohet aktorit shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiu. Kjo pullë postare është emision i jashtëzakonshëm i Filatelisë së Postës së Kosovës në kuadër të tematikës "Kinematografia botërore".

"Nga sot, kur kjo pullë është vënë në qarkullim, mijëra letra e dërgesa tjera postare do të udhëtojnë nëpër botë me imazhin e aktorit tonë të madh. Do të udhëtojnë në shumë shtete e kontinente ku Bekim Fehmiu la gjurmë të pashlyeshme me talentin e tij, duke u ngritur në majat më të larta të kinematografisë botërore", ka thënë kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës, Halit Isufi.

Ndërkaq, kryeshefi i postës, Sejdi Hoxha, në ceremoninë e përurimit, ka thënë se në tematikën kinematografia botërore nuk ka qenë e vështirë të përcaktohet njeriu që do të përzgjidhet.

"Ne jemi krenarë që patëm një aktor që do të mbetet gjithmonë i pavdekshëm në historinë e kinematografisë botërore. Nga sot, ai është bërë nga vlerat më të mëdha të filatelisë së Postës së Kosovës", deklaroi ai.

Në ceremoninë e publikimit të kësaj pulle kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe ata të Maqedonisë, përfshirë ministrin e Kulturës, Memli Krasniqi, zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, ministri i Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Maqedonisë, Tahir Hani, drejtori i Përgjithshëm i Postës së Maqedonisë, Rafis Haliti, si dhe një prej miqve më të ngushtë të Bekim Fehmiut, drejtori i Kinemasë "ABC", Milazim Salihu.

Ky promovim është nderuar posaçërisht me pjesëmarrjen e familjes Bekim Fehmiut, të cilës kryeshefi Sejdi Hoxha ua dhuroi një pullë postare, e punuar në bronz, me portretin e aktorit tonë të madh.

Në emër të familjes së Bekim Fehmiut ka folur nipi i tij, Agon Fehmiu, i cili ka falënderuar Postën e Kosovës për nderin që i është bërë aktorit të famshëm. Ai lexoi një letër të bashkëshortes së Bekim Fehmiut, zonjës Branka Petriç, po ashtu një aktore e njohur, e cila nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë promovim.

Në fund është shfaqur një dokumentar me përmbledhje insertesh nga filmat e shumtë të Bekim Fehmiut, i përgatitur nga kinematografi Latif Hasolli dhe regjisori, Ilirian Himaj.

Marrë nga Albinfo

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?