BE-ja synon të vazhdojë dialogun Kosovë-Serbi pa presidentin Thaçi

1 Korrik 2020, 13:46| Përditesimi: 1 Korrik 2020, 13:48

  • Share

Zyrtarët e Bashkimit Europian po synojnë që të vazhdojnë ndërmjetësimin për rifillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, pa përfshirjen e presidentit, Hashim Thaçi.

Javën e kaluar, një prokuror i specializuar në Hagë deklaroi se ka paraqitur aktakuzë kundër presidentit të Kosovës, nën dyshimin se është i përfshirë në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se pas këtyre zhvillimeve ata nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës, një partner në procesin e dialogut.

Një zyrtar europian që merret me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, tha për ‘Europa e Lirë’ se do të ishte më mirë që Thaçi të përqëndrohet në këto momente në aktakuzën ndaj tij, dhe se derisa çështja të zgjidhet, pra të ketë një aktgjykim, nga ana e BE-së do të ketë shumë pak ndërveprim me të. Por në çdo rast, BE-së vlerëson se Prishtina zyrtare do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për dialog, pavarësisht se kush e zhvillon atë në emër të Kosovës.

"Nuk i takon BE-së të zgjedhë bashkëbiseduesit, por i takon palës kosovare të vendosë kush do të përfaqësojë më së miri interesat e tyre", tha Virginie Battu-Henriksson, një zëdhënëse e BE.

BE-ja synon që së shpejti, nën kujdesin e Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel, të organizojë më 10 korrik një Samit në Paris, ku do të takohen delegacionet e Kosovës dhe Serbisë.  Sipas zyrtarëve nga Berlini, të cilëve i referohet ‘Europa e Lirë’, rrethanat aktuale politike në Prishtinë nuk do të ndryshojnë axhendën e samitit, por ato sigurisht  mund të ndikojnë në ndryshimet e mundshme në listën e mysafirëve, që do të thotë se presidenti i Kosovës edhe mund të mos jetë I ftuar në Paris.

Teksa që nga sot Gjermania ka marrë prej Kroacisë kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Kosova pret nga Presidenca Gjermane liberalizimin e vizave. Disa deputetë të Parlamentit Europian i kanë shkruar kancelares gjermane që gjatë kryesimit të tyre, të vendosin në rend dite edhe liberalizimin e vizave për Kosovën pasi, sipas vlerësimit të Komisionit Europian, Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara. Një diplomat i lartë gjerman u ka thënë gazetarëve se për liberalizimin e vizave kërkohet një shumicë e kualifikuar e vendeve anëtare në Këshillin e BE-së dhe se, nëse Gjermania vlerëson se ekziston një shumicë e tillë, atëherë do ta vendosë në rend dite.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?