Behar Gjoka: Si hyri
Ben Blushi në letërsi

23 Tetor 2012, 16:41| Përditesimi:

  • Share
Sipas studiuesit Behar Gjoka, sot kritika letrare vështrohet si mundësia ku fshihen të gjitha mangësitë e shkrimit letrar “të harkut kohor të bashkëkohësisë, qoftë edhe të letërsisë së çmimeve”. A janë autorët e promovuar dhe ata që kanë marrë çmime në marrëdhënie të drejtë me vlerën letrare. Si prezantohen arritjet e letërsisë shqipe. Cilët janë 30 autorët që vijnë si tregues të zhvillimit të letërsisë. Libri i Behar Gjokës, “Autonomia e kritikës letrare”, sjell një vështrim të freskët të problemeve reale që ka kritika letrare e sotme, që nis me kritikën e Arshi Pipës dhe vijon me hyrjen e autorëve të rinj në rrugën e letërsisë dhe pranëvënia e tyre me traditën. Çfarë roli kanë në zhvillimin e letërsisë autorët që vijnë nga fusha e medias dhe politikës. A janë të gjithë ata aq të talentuar sa publikohen. Në ç’marrëdhënie reale janë me lexuesit. Studiuesi Gjoka e ka mprehur tehun e kritikës për 30 autorë të letërsisë shqipe. Duke folur për gjithë problematikën që libri mbart,ai trajton një rast të veçantë, sesi politikani i njohur Ben Blushi hyri më letërsinë e re shqipe.

Zoti Gjoka, ka dalë në treg një libër me kritika letrare nga ju, që vjen pas një evidentimi dhe replikash të gjata se “mungon kritika letrare në vend”...
-Të them të drejtën është një debat më shumë i zhvilluar fiktivisht, se ka apo nuk ka kritikë letrare, kemi apo s’kemi nevojë për kritikë letrare. Debati çuditërisht bëhet nga ata që e kanë për detyrë të japin dhe zgjidhje. Kam parasysh këtu profesorë, persona që janë të lidhur burokatisht, administrativisht me letërsinë, të cilët në një hark kohor prej 20 vjetësh kanë bërë të mundur që të fshinin strukturën e mendimit kritik, të mos ketë më një revistë, të mos ketë më një gazetë letrare, që të jetë e hapur për të gjitha alternativat. Ky libër në fakt e ka bërë jetën e vet në median e shkruar. Janë disa mendime të hedhura herë pas here nga fillimi i vitit 2007 deri në 2012. Mendoj se kur jemi në një situatë, që më duket se kemi hequr dorë nga mendimi ndryshe për hir të pluralitetit që ka gjithë jeta, kemi hequr dorë që të krijomë hapësirën e nevojshme që të fillojmë të debatojmë realisht për letërsinë, për letërsinë e çmimeve, apo për letërsinë tejçmimeve, për letërsinë e Shqipërisë, apo jashtë saj, për letërsinë cila nuk është se është kaq e bollshme. Duke mos munguar syri i parë dhe rishkrues i leximit, i rishikimit, i trajtimit pse jo të teksteve, i kritikës letrare, letërsia vjen dhe thellohet, pra bëhet më e madhe.

Pra, në libër del edhe si duhet të trajtohet kritika e sotme letrare?

-Natyrisht nuk është menduar si libër që ka në fokus kritikën letrare, por hapja e debatit e bëri të nevojshëm konceptimin e këtij momenti. Unë nuk bëj gjë tjetër veçse konceptoj, sugjeroj. Kam parasysh këtu librat e Mira Meksit, Bashkim Shehut, Halit Shamatës, Fatmir Alimanit, etj, por kam parasysh këtu një vlerësim të autorëve të letrave shqipe pavarësisht kufijve, pavarësisht kohës. Sepse në këtë libër janë edhe dy tekste që ndalen gjerësisht tek poezia origjinale e Pjetër Budit dhe tek proza si një realitet i mëvetësishëm i tij. Vështrimi i kritikës ka dy parametra, leximi i letërsisë bashkëkohore, por edhe rivlerësimi i letërsisë, e cila për një mijë e një arsye nuk ka qenë e pranishme në këtë këndvështrim. Për këtë arsye, tek e fundit mbetet krejt hapur për të thënë se ku dallon kritika e sotme nga kritika e mëparshme. Ne biem në një logjikë që kritika e mëposhtme ishte institucionale dhe vetë institucionet ishin deformuar, por edhe vetë kritika ishte ideologjike. Është e vështirë për të ndërtuar një mendim normal për vijimin e kritikës letrare. Gjithë prezantimet e veprimtarive letrare me median e shkruar nuk janë gjë tjetër veçse një qëndrim ndaj librit.

Le të qëndrojmë tek media, nëse media i promovon, sa shanse sjell për autorin?
Shansi i promovimit tregon se ajo që promovohet, nuk është gjithmonë është e barabartë me vlerën. Ka shumë libra që ne nuk e dimë fare se ekzistojnë dhe ato mund të jenë me shumë vlerë. Ka libra që promovohen si kryevepra në çdo prag panairi, si të rëndësishme, etj. Letërsia nuk është as e rëndësishme, është letërsi. Shkrimi është autorial dhe nuk shihet me rëndësi autori se nga vjen nga figura e politikës ose e media. Promovimi është i hapur, por jo çdo libër ka të drejtë të determinojë në mendimin për letërsinë. Pra, duhet parë ajo që është brenda interesit për lexuesit autonomë. Në fakt ka lexues autonomë, që e shohin seriozisht marrëdhënien me tekstin dhe librin në përgjithësi.

Siç e vura re këtu ke shkruar edhe për librin e shumëdiskutuar të Ben Blushit. Si erdhi gjithë kjo valë debatesh për librin e një autori?
-Të them të drejtën Ben Blushi është një emër që vjen nga politika dhe nga media. Me këtë status edhe në letërsi ai hyri fuqishëm, u prezantua fuqishëm, u prezantua me debat. Mua nuk më ka bërë përshtypje më shumë debati. Më ka bërë përshtypje fakti që një libër, i cili na vjen nga politika prezantohet si një kryevepër menjëherë. Teksa e lexova kujtova se kemi të bëjmë me një individ, i cili letërsinë nuk e ka çështje luksi e ka çështje plotësimi të përmasave të tij. Kam parasysh librin “Të jetosh në ishull”, që në fakt mua më kanë rreshtuar tek pjesa kundër. Unë jam lexues. Nuk jam as pro, as kundër. Aty ka një pjesë që është e mrekullueshme. Aty ka një tentativë që rrëfimi të jetë ndryshe. Aty ka një tentativë për personazhet që të rikonsiderohen. Duke qenë libër me tezë, në fakt letërsia shqipe çuditërisht është me tezë, e angazhuar, përfshihet në një kohe të caktuar e kështu me radhë, ky libër i pasuar nga libra të tjerë dëshmoi që Blushi ka ndërmend ta thotë fjalën e tij në letërsi. Këtu nuk varet si do ta prezantojnë. Do ta prezantojnë si pasues i Kadaresë, më i madh apo më i vogël nuk është problem. Për mua është problem që Blushin ta përkujtojmë. Nëse mundohemi t’ia zbehim vlerat, nuk arrijmë sepse i ka teksti. Nëse mundohemi që t’ia shtojmë vlerat që nuk i ka teksti, nuk i bëjmë mirë as Blushit as letërsisë në këtë diskurs. Unë do të thosha se e drejta e shkrimit dhe pretendimit janë të diskutueshme. Por, meqë jemi tek ky emër ai vjen pas një përvoje të thekur si gazetarë, vjen pas performancave jo shumë të zakonshme të politikës shqiptare, ku mendimi i tij ndryshe krijoi një situatë krejt të befasishme. Tashmë shkrimi i tij letrar është krejt ndryshe. Është në majën e shkrimit letrar, po të nisemi nga çmimet, nga përkthimi. Edhe po të nisemi nga shija ime e leximit, unë pres që Blushi ta shkruaj kryeveprën, sepse ne jemi në kërkim të shënjimit të një teksti të tillë.

Autorë të tjerë të vërejtur në këtë libër cilët janë?
-Aty ka një tekst për Bashkim Shehun, për librin “Moxarti me vonesë”. Është një tekst për Mira Meksin. Shkruhet për Isamedin Ferraj, për Lefter Çipën, Reshat Mysliun, Fishtën, Lasgushin etj. Pra kemi një univers që tejkalon numrin e 30 autorëve të pamenduar për t’i parë në pranëvendosje, por si një mozaik.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?