Bajram Begaj dhe presidenti bullgar, Rumen Radev

Begaj takohet me presidentin bullgar dhe kryediplomatin turk, diskutime për zhvillimet në rajon dhe tensionet Kosovë-Serbi

28 Qershor 2023, 11:11| Përditesimi: 28 Qershor 2023, 11:20

  • Share

Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e Nivelit të Lartë të Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi takime dypalëshe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, dhe Ministrin e Jashtëm të Turqisë, zotin Hakan Fidan.

Në takimin me Presidentin e Bullgarisë Radev, Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, si dhe nënvizoi nevojën e një bashkëpunimi e koordinimi më të mirë në funksion të përmirësimit të infrastrukturës ndërlidhëse rajonale, duke e vënë theksin në mënyrë të veçantë te Korridori 8-të.

Lidhur me këtë të fundit, Presidenti vlerësoi rolin e Bullgarisë si vend anëtar i BE-së në mbështetje të projektit.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për nevojën e mbështetjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për ndikimin e pasojat e agresionit rus në Ukrainë.

Kreu i shtetit u takua edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, zotin Hakan Fidan, me kërkesë të këtij të fundit.

Pasi e uroi për marrjen e detyrës së Ministrit të Jashtëm të një vendi mik, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në kapërcimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar në nëntor të vitit 2019, si dhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Në një kohë kur në nëntor të këtij viti Turqia pritet të marrë komandën e KFOR-it në Kosovë, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe te zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti Begaj vlerësoi rolin personal të Presidentit Erdogan në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në këtë rajon. Në mënyrë të veçantë u shkëmbyen mendime edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe për nevojën e vijimit të këtij dialogu, në shërbim jo vetëm të të dy vendeve, por të gjithë rajonit në tërësi.

Begaj në takim me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?