15 mln € për rindërtimin e 22 shkollave! BE firmos marrëveshjen me Shqipërinë, Soreca: Jeni afër zemrave tona (VIDEO)

15 Prill 2020, 13:55| Përditesimi: 15 Prill 2020, 17:33

  • Share

BE nënshkroi ditën e sotme marrëveshjen me Shqipërinë për ofrimin e 15 milionë eurove për ndërtimin e 22 shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Ndërsa kjo ndihmë jepet për të ardhmen dhe se BE mban premtimet e saj kundrejt Shqipërisë.

Gjatë mbledhjes së zhvilluar online morën pjesë ministri për Rindërtim, Arben Ahmetaj, ambasadori i BE, Luigi Soreca, Përfaqësueses së Përhershme të UNDP-së, znj. Limya Eltayeb dhe zv.ministri i Arsimit, Oltion Rrumbullaku. Nga programi “BE për shkollat” do të përfitojnë 7 500 nxënës dhe mësues shkollash.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca, u shpreh se KE mbajti premtimin për ndihmë duke theksuar se Shqipëria është afër zemrave tona.

“Ne premtuam ndihmë dhe po e ofrojmë atë shpejt. Shkollat janë mishërimi më i mirë i ringritjes dhe besimit në të ardhmen. Nisja e asistencës së ofruar nga BE pas tërmetit me shkolla të standardit më të lartë ndërkombëtar është veprimi më i mirë për t’u ndërmarrë. Përgjigja e Bashkimit Evropian tregon edhe njëherë se Shqipëria jo vetëm është afër gjeografikisht, por edhe afër zemrave dhe mendimeve tona”, tha Soreca.

Edhe pse e gjithë bota ndodhet në një situatë të vështirë për shkak të COVID-19, Ministri Ahmetaj falënderoi KE që mbajti premtimin për grantin prej 115 milionë eurosh për rindërtimin e  Shqipërisë pas tërmetit, ku 15 milionë euro janë për rindërtimin e 22 shkollave

"Në të gjithë zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit janë 103 shkolla të dëmtuara. Një pjesë e mirë e tyre janë në proces prokurimi nga ana e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Tiranë.  Firmosja e kësaj marrëveshjeje i shton kësaj liste edhe 22 shkolla të tjera. Kjo tregon që ne nuk jemi vetëm edhe në një kohë të vështirë si kriza e COVID-19 dhe se Bashkimi Europian e donatorë të tjerë janë sërish me ne”, tha Ahmetaj.

Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it në vendin tonë, Limya Eltayeb tha se ky investim në shkolla është një mbështetje që shkon për të ardhmen tonë, për fëmijët dhe brezin e ri, ndërsa siguroi se mbështetja e PNUD do të vijojë për Shqipërinë edhe për rimëkëmbjen pas COVID-19.

“Kush më mirë se djemtë dhe vajzat, të rinjtë, mësuesit e prindërit duhet të jenë në fokusin e rindërtimit të Shqipërisë”, tha Eltayeb.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?