BE do të financojë rreth 34.7 milionë euro për Bypassin e Tiranës! Pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane

10 Qershor 2022, 19:46| Përditesimi: 10 Qershor 2022, 19:53

  • Share

Këtë vit Bashkimi Evropian do të japë një grant prej rreth 34.7 milionë euro për ndërtimin e Bypassit të Tiranës,  pjesë e Autostradës Adriatiko Joniane, i cili totalisht do të kushtojë 190.6 milionë Euro

Në listën e investimeve që do të financojë Bashkimi Evropian për këtë vit, është përfshirë edhe Shqipëria, pikërisht me investimin në ndërtimin e Bypass-it të Tiranës.

Ndërtimi i 21.5 kilometrave që do të lidhin autostradat Tiranë – Durrës dhe Tiranë – Elbasan, do të kushtojë në total 190.6 milionë euro, nga të cilat 34.7 milionë euro janë grant që do të jepen nga BE për vitin 2022.

Më herët BE ka dhënë po për këtë rrugë 34.3 milionë euro, është dhënë një kredi 111.7 milionë euro nga BERZH, kurse shteti 9.9 milionë euro. Praktikisht një kilometër rrugë do të kushtojë rreth 9 milionë euro.

Sipas raportit të publikuar Bypass-i do të kanalizojë trafikun larg qytetit dhe të krijojë një sistem transporti më efikas, të integruar në bërthamën rrugore rajonale dhe evropiane.

Bypass-i i Tiranës është pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane, e cilësuar edhe si Autostrada Blu, e cila shtrihet në Itali, Greqi, Slloveni, Kroaci, Malin e Zi dhe Shqipëri.

Thirrje për financim të investimeve në Ballkan bëri edhe pak ditë më parë Kryeministri Edi Rama në Samitin Rajonal të Transportit që u mbajt në Tiranë.

Projekte të tjera që do financohen në Ballkan janë: Autostrada Prishtinë-Merdarë 204.7 milionë euro, dhe 4 Autostrada të Mesdheut në Bosnjë me një vlerë prej 850.7 milionë euro.

 

 

 

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?