Baza e NATO-s në Kuçovë, Kollçaku zbulon detajet: Në 4 mars, ceremoni madhështore dhe demonstrim ajror! Shehu: Rritet siguria e vendit

26 Shkurt, 17:58| Përditesimi: 26 Shkurt, 18:26

  • Share

Deputeti i PS Bardhyl Kollçaku në një lidhje skype për ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv ka folur për bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë e cila pritet të inaugurohet më 4 mars në një ceremoni madhështore.

Kollçaku tha se kjo bazë është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët pasi rrit sigurinë dhe peshën e vendit në rajon. Ai theksoi se baza ka kapacitete ta palimituara për kryerjen e trajnimeve dhe operacioneve.

“Është investim madhor jo vetëm në shumën e parave por projekton siguri për vendin tonë dhe për rajonin. Data 4 mars e vendos përfundimisht Shqipërinë në hartën e vendeve që kanë shenjën e aleancës. Është lajm i mirë për gjithë shqiptarët. Edhe për komunitetin këtu do të pasohet me lajme të mira. Baza ka kapacitete kryesisht ajrore, ulje-ngritje të avionëve ushtarakë. Ka kapacitete tokësore dhe nëntokësore, tunelet dhe strehimet, rezervë për karburant municion. Ka hapësira për stërvitje. Para 2 vitesh u zhvillua marrëveshja ‘Defender Europe’, ka kapacitete të palimituara, për trajnime operacione dhe mbi të gjitha do të rrisë sigurinë e vendit tonë dhe peshën specifike të Shqipërisë në rajon”- tha Kollçaku.

Më tej ish-gjenerali u shpreh se do të ketë surpriza ditën e inaugurimit, me demonstrim ajror që do të dhurojë spektakël për publikun.

“Surpriza do ketë. Forcat e Armatosura po marrin masat e fundit që të jetë ceremoni madhështore. Do të ketë autoritete të vendit dhe të Aleancës. Sipas informacionit që kam do të ketë edhe demonstrim ajror. Do jetë ceremoni shumë e bukur dhe me spektakël edhe për publikun”- shtoi deputeti.

Edhe deputeti i Rithemelimit, Tritan Shehu tha se një lajm i tillë është një element i rëndësishëm që rrit sigurinë e vendit dhe shtoi se duhet të jemi sa më të hapur për baza të tilla të NATO-s.

“Forcimi i NATO-s është një lajm i mirë për të gjithë i gëzueshëm. Është një lajm shumë i rëndësishëm i prezencës së mëtejshme të NATO-s në Shqipëri. Vendosja e kapaciteteve të NATO-s në Shqipëri është element i rëndësishëm dhe duhet të zgjerohet edhe më shumë. Duhet të jemi të hapur për të lehtësuar sa më shumë proceset për praninë e NATO-s në vendin tonë.  Kjo është e rëndësishme edhe për NATO-n sepse rajoni ynë ka një vendndodhje strategjike të rëndësishme”- tha Shehu.

Nga ana tjetër lidhur me rrezikun që i kanoset Shqipërisë pas hapjes së kësaj baze të NATO-s, eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Ledion Krisafi u shpreh se është një kosto që ia vlen të merret duke pasur parasysh përfitimet e vendit tonë.

“Çdo gjë që lidhet me NATO-n është në shënjestër të Rusisë. Sigurisht që do ketë një ëmendje më të madhe të Rusisë ndaj Shqipërisë për shkak të bazave të NATO-s që po ndërtohen. TV më i madh rus po zhvillon një reportazh për Shqipërinë për bazën e NATO-s në Kuçovë.  Por kjo bazë e rrit kaq shumë sigurinë sa përfitimi është më i madh sesa rreziku që kanoset. Nga qeveria shqiptare ka qenë një taktikë shumë e zgjuar. Duke i ofruar NATO-s ndërtimin e bazave të tjera, sjell NATO vetë struktura dhe armatime të tilla duke bërë që edhe vendi ynë të përfitojë nga investime të tilla”- argumentoi eksperti.

Ndërsa deputeti socialist u shpreh se nuk ka vend për një shqetësim të tillë pasi me vendosjen e forcave të NATO-s, vendi do të jetë i sigurtë nga rreziqe që mund të vijnë si pasojë e rritjes së vëmendjes së Rusisë ndaj Shqipërisë.

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 26/02/2024 18:53

    Varet si e shikoni ju por nga ky moment ne mund te futemi ne lufte per teket e shteteve qe na komandojne , nuk ka pasur baza nato aty dhe as ne si komb nuk kemi pasur asnje prb me njeri kjo eshte thjeshte nje kolonizim amerikan dhe humbje pavaresise si vend

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?