Kronikë

Bashkimi Evropian pritet të ulë tarifat roaming për Ballkanin Perëndimor

21 Shtator 2021, 18:19| Përditesimi: 21 Shtator 2021, 18:37

  • Share

TIRANË- Bashkimi Evropian pritet që të ulë tarifat roaming për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përgatitjet e Shqipërisë për këtë proces do të bëhen nga një grup pune i drejtuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), së bashku me operatorët celularë që operojnë në vendin tonë.

Ky lajm u bë me dije nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku përmes një postimi në ‘Facebook’, e cila shkruan se ulja e tarifave ka impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët.

“Reduktimi i tarifave të roamingut midis BE dhe Ballkanit Perëndimor ishte në fokus të diskutimeve mes MIE, e cila udhëheq procesin, AKEP si institucion rregullator dhe operatorët celularë që operojnë në vendin tonë. Shumë i rëndësishëm angazhimi i operatorëve të telefonisë celulare për t’u bërë pjesë e realizimit me sukses të këtij procesi tejet të rëndësishëm. Ulja e këtyre tarifave do të ketë impakt të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe është njëkohësisht hapi tjetër i radhës në Axhendën Dixhitale të Ballkanit Perëndimor pas zbatimit me sukses të Marrëveshjes Rajonale të Roamingut”, shkuan Balluku.

Kujtojmë që prej datës 1 korrik të këtij viti, tarifat roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor janë hequr. Kjo do të thotë se qytetarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës do të përdorin shërbimin roaming në rajon me të njëjtat tarifa si në vendin e tyre, pra pa qenë nevoja të paguajnë tarifa shtesë. Marrëveshja vlen vetëm për thirrjet dhe mesazhet dhe jo për internetin.

Heqja e tarifave ndodhi në bazë të një marrëveshjeje për roaming mes 6 vendeve ballkanike. Faza e parë e zbatimit të marrëveshjes filloi në vitin 2019, ku ka pasur një ulje të çmimeve deri në 80%, kurse faza e dytë ishte eliminimi i plotë i tarifave.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?