Bashkimi Evropian masa për të mbrojtur teknologjinë jetike nga Kina

24 Janar, 19:55| Përditesimi: 24 Janar, 19:57

  • Share

BRUKSEL – Bashkimi Evropian bëri të ditur sot planin që ka për qëllim të përforcojë sigurinë ekonomike të tij, përfshirë një sërë masash për të mbrojtur teknologjinë e ndjeshme që të mos të bjerë në duart e rivalëve të saj gjeopolitikë, siç është Kina.

Brukseli tha se ka shtuar kufizimet tregtare për t’u përballur me ato që i vlerëson si rreziqe për sigurinë ekonomike evropiane pas sulmit të Moskës ndaj Ukrainës dhe tensioneve tregtare globale.

Pasojat e luftës në Ukrainë kanë goditur rëndë në veçanti Evropën, duke e detyruar bllokun që të gjejë burime alternative energjie. Tani, blloku po përpiqet t’i shmanget një varësie të ngjashme ndaj Kinës, e cila dominon në prodhimin e teknologjisë së energjisë së pastër dhe minerale të rralla kritike.

Zyrtarët evropianë sot shpalosën një pako të sigurisë ekonomike që përbëhet nga pesë nisma, përfshirë ashpërsimin e rregullave për verifikimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe fillimin e diskutimeve për koordinim të kontrolleve të eksportit.

BE-ja tashmë ka propozuar rregulla të reja, të cilat thotë se janë të domosdoshme për ta ruajtur përparësinë e bllokut gjatë kalimit global drejt përdorimit të teknologjisë për prodhimin e energjisë së pastër dhe për të joshur më shumë prodhim në Evropë.

“Në këtë garë, Evropa nuk mund të jetë vetëm një fushë për lojtarët e mëdhenj, por duhet të jemi duke luajtur vetë,” deklaroi zyrtarja më e lartë evropiane në fushën e konkurrencës, Margrethe Vestager.

“Duke bërë atë që po propozojmë, mund t’i largojmë rreziqet e ekonomive tona të ndërlidhura,” deklaroi ajo para gazetarëve në Bruksel.

Plani i të mërkurës është pjesë e përpjekjeve të BE-së që të largojë rreziqet por jo të largohet nga Kina. Plani mbështetet fuqishëm nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ndryshimi i marrëdhënies ndërmjet BE-së dhe Kinës është shtytësi kryesor për këtë përkrahje për sigurinë ekonomike, koncept krejtësisht i ri për BE-në,” deklaroi drejtori i studimeve ndërkombëtare pranë Institutit “Montaigne”, Mathieu Duchatel.

Zyrtarët evropianë i kundërshtuan kritikat se plani është zbutur dhe se për disa nga nismat do të jetë shumë vonë.

Njëra nga nismat është rishikimi i rregullores së BE-së për të verifikuar investimet e huaja të drejtpërdrejta, por disa shtete kanë rekomanduar që për këtë nismë të diskutohet më shumë, duke shkaktuar shqetësime se vendimi do të jetë i vonuar.

Për shembull, komisioni thotë se dëshiron të nxisë më shumë diskutime se si mund të përkrahen më shumë teknologjitë për hulumtim dhe zhvillim, që mund të përdoren për qëllime civile dhe të mbrojtjes.

BE-ja gjithashtu dëshiron që të gjitha shtetet anëtare të saj të krijojnë mekanizma verifikimi, të cilat mund të çojnë drejt bllokimeve të investimeve nëse besohet se paraqesin rrezik.

“Nuk do të thoja që plani i masave është zbutur,” deklaroi Komisioneri i BE-së për tregtinë, Valdis Dombrovskis.

Ai tha se BE-ja dëshiron “t’i kushtojë vëmendje më të madhe shkëmbimeve me më shumë rreziqe dhe të shpenzojë më pak kohë dhe burime për transaksionet me rrezik më të ulët.”

Negociatat ka gjasa të shndërrohen në një akt të ndjeshëm balancues. Vendimet rreth investimeve dhe eksporteve u takojnë qeverive kombëtare, prandaj BE-ja duhet të shmangë rrezikun që të tejkalojë kompetencat e saj./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?