Bashkimi Europian diskuton sot përgjigjen ndaj mutacionit të COVID-19, shumë shtete vendosin ndalimet e udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar

21 Dhjetor 2020, 09:27| Përditesimi: 21 Dhjetor 2020, 09:35

  • Share

Shfaqja e një mutacioni të ri të COVID-19, i cili është 70% më i transmetueshëm, ka bërë që shumë shtete të vendosin ndalime udhëtimi në drejtimin të Mbretërisë së Bashkuar mes shqetësimeve për mutacionin e ri të COVID-19.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian do të diskutojnë sot një përgjigje të bashkërenduar ndaj një varianti të ri, më infektiv të koronavirusit në MB. Takimi i Këshillit Evropian pritet të zhvillohet në  orën 10:00.

Gjermania, Franca dhe Italia janë midis atyre që kanë pezulluar fluturimet nga MB. Shërbimet e trenave përmes Tunelit Francë-Britani gjithashtu janë ndalur. Kanadaja po ashtu ka deklaruar se do të bllokojë gjithashtu fluturimet në Mbretërinë e Bashkuar.

Danimarka pezulloi fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar për 48 orë duke filluar  nga mëngjesi i të hënës. Hollanda tha se do të ndalonte të gjitha fluturimet e pasagjerëve nga Mbretëria e Bashkuar deri në 1 janar. Pasagjerët e trageteve që mbërrijnë nga Britania e Madhe gjithashtu do të ndalohen edhe pse transporti i mallrave do të vazhdojë. Franca pezulloi të gjitha lidhjet e udhëtimit, përfshirë kamionët e mallrave, për 48 orë nga mesnata e së Dielës.

Në Republikën e Irlandës, e cila ka trafik të konsiderueshëm udhëtarësh me MB në këtë kohë të vitit, qeveria njoftoi se fluturimet që mbërrinin nga Britania do të ndaloheshin për 48 orë.  Në Gjermani, avionët nga Mbretëria e Bashkuar nuk janë lejuar të ulen pas mesnatës së të Dielës. Belgjika po ashtu deklaroi se do të ndalonte fluturimet dhe trenat nga Britania e Madhe nga mesnata e së Dielës për të paktën 24 orë si një "masë paraprake". Italia ka bllokuar të gjitha fluturimet nga MB deri në 6 Janar dhe Turqia ka ndaluar përkohësisht të gjitha fluturimet nga Britania e Madhe ashtu si Zvicra.

Vende dhe territore të tjera kanë njoftuar gjithashtu për kufizime në udhëtime në lidhje me  Mbretërinë e Bashkuar përfshijnë Hong Kongun, Izraelin, Iranin, Kroacinë, Argjentinën, Kilin, Marokun dhe Kuvajtin. Ndërkohë, Arabia Saudite ka pezulluar të gjitha fluturimet ndërkombëtare për një javë për shkak të pandemisë

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se varianti i ri është deri në 70% më i transmetueshëm, por nuk ka prova se është më vdekjeprurës. Megjithatë nuk ka asnjë provë e cila tregon se virusi mund të reagojë ndryshe ndaj vaksinave.

Gjithashtu të hënën, rregullatori i ilaçeve të BE pritet të rekomandojë miratimin e vaksinës së Pfizer-BioNTech për përdorim në të gjitha 27 shtetet. Nëse jep dritën jeshile, miratimi zyrtar nga Komisioni Evropian pritet të ndjekë të Mërkurën dhe shpërndarja e vaksinave mund të fillojë në disa shtete të BE që të Dielën.

.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?