Bashkia nis pastrimin e lumit
të Tiranës nga mbetjet urbane

23 Prill 2016, 13:00| Përditesimi:

  • Share
Bashkia e Tiranës e ka zhvendosur aksionin  “Të Pastrojmë Tiranën” përgjatë Lumit të Tiranës. Ndërmarrjet e bashkisë dhe banorë morën pjesë në pastrimin e disa pjesëve të ndotura kryesisht në zonën e Shish-Tufinës dhe në fshatin Ferraj.
 
Nënkryetari i bashkisë Abaz  Hado tha se ky aksion ka për qëllim jo vetëm të sensibiliozjë banorët për më shumë kujdes ndaj mjedisit por edhe për të evidentuar faktin se Tirana nuk duhet pastruar vetëm në qendër por edhe në periferi.
 
 “Jemi këtu për të ndërgjegjësuar qytetarët, për të kuptuar njëherë e mirë se Tirana duhet të pastrohet në çdo cep të saj. Tirana nuk është vetëm qendra, janë edhe këto zona periferike, si kjo zonë e largët ku jemi sot, ku vijmë me dëshirën për të ofruar shërbim, për të ofruar shembullin që njerëzit të bëhen të ndërgjegjshëm, se Tirana duhet pastruar. Ne duhet të jemi të pastër, aty ku jetojmë sepse jeta jonë bëhet më e mirë, duke pastruar”, tha nënkryetari Hado.

pastrohet lumi
 
Aksioni i sotëm vjen në kuadër të nismës “Të Pastrojmë Tiranën”, që Bashkia e Tiranës organizon çdo muaj duke u përpjekur që të sensibilizojë dhe angazhojë qytetarët në mbajtjen e ambientit të pastër.

Gjithashtu, pastrimi i Lumit të Tiranës nga mbetjet urbane të akumuluar në pika të ndryshme të rrjedhës së tij, i bashkohet nismës së përfaqësuesve të OSBE për pastrimin e lumit Ishëm, rrjedhë e të cilit është dhe lumi i Tiranës. Kjo nismë, krahas pastrimit të Lumit të Tiranës, synon në ndërgjegjësimin e komunitetit që banon përgjatë gjithë rrjedhës së këtij lumi.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?