Basha takohet me Varhelyi në Bruksel

Basha takohet me komisionerin Varhelyi në Bruksel: I prezantova nismën e PD për vettingun në politikë dhe ndryshimet e propozuara për Reformën Zgjedhore

14 Nëntor 2023, 16:11| Përditesimi: 14 Nëntor 2023, 16:23

  • Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme takime me zyrtarë europianë në Bruksel. Ndërkohë që ndodhet në Bruksel për takimin e Organizatës së Partive të Qendrës së Djathtë, Basha bën me dije se është takuar edhe me komisionerin Oliver Várhelyi dhe se i ka prezantuar këtij të fundit nismat për vettingun në politikë dhe ndryshimet e propozuara nga PD në Reformën Zgjedhore.

“Me miq dhe partnerë të PD-së, në takimin e Komitetit Ekzekutiv IDC-CDI (Organizata e Partive të Qendrës dhe Qendrës së Djathtë) në Bruksel. Në biseda të veçanta, përfshirë dhe atë me Komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi, iu prezantova nismat e Partisë Demokratike për vettingun  në politike dhe ndryshimet e propozuara për reformën zgjedhore”- shkruan Basha.

Mes të tjerash, kryedemokrati thekson se pjesë e diskutimeve ishte edhe situata në Kosovë, e cila sipas tij është një përpjekje e Rusisë për destabilizimin e rajonit, lëvizje e cila sipas tij është shtrirë në Bosnjë Hercegovinë dhe aktualisht po kërcënon Malin e Zi.

“Diskutuam për situatën në Kosovë, ku shpreha shqetësimin për ngjarjen e Banjskës, e cila ishte një përpjekje për te aplikuar skenarin e Krimesë dhe në vijim të përpjekjeve të Rusisë për destabilitimin e rajonit, skenar i cili është shtrirë në Bosnje dhe po kërcënon Malin e Zi.  Situata në Lindjen e Mesme është një tjetër shqetësim për botën sot. Rreziku i zgjerimit të konfliktit ka tërhequr disi vëmëndjen edhe nga lufta në Ukrainë, nga e cila po përfiton Rusia.

Pata mundësi të diskutoj edhe me delegacionin e Ukrainës për rezolutën që po diskutohet në Këshillin e Europës për rindërtimin e Ukrainës, e cila po pritet me interes të vecantë për shkakt të dëmeve të jashtëzakonshme të shkaktuara nga agresioni rus. Një nga çështjet e tjera me interes nisur dhe nga zhvillimet  e fundit në rajonin tonë, ishte diskutimi për krizat e shumëfishta të luftës në portën e Europës dhe skenarët e mundshëm për pasojat që ato kanë për rendin ndërkombëtar”- shton Basha.

Ditët e fundit, Basha ka zhvilluar edhe takime me qytetarët, duke u shprehur se PD mbështet SPAK për ndëshkimin e personave përgjegjës për abuzimin me fondet e shtetit, ndërsa ka dorëzuar në Kuvend edhe një projektligj për vettingun në politikë.  

B.V/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Fiu: 14/11/2023 18:01

    Tu fol seriozisht me duar në xhepa

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?