Basha sërish kundër të gjithëve,
refuzon paktin me Edi Ramën 

7 Dhjetor 2017, 17:25| Përditesimi:

  • Share
Zgjedhja e Kryeprokurorit ka hapur një konflikt të ri mes shumicës dhe opozitës. Lulzim Basha ka refuzuar ftesën e Ramës për pakt kombëtar për integrimin duke filluar nga çështja e kryeprokurorit. Shefi i opozitës dhe ai i qeverisë kanë replikuar në distancë në rrjetin social Facebook për pasuesin e Adriatik Llallës në krye të organit të Akuzës së Shqipërisë. 

Lulzim Basha ka deklaruar se i vetmi “pakt” për të cilin ka nevojë Shqipëria është ai për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. “Kushtet që BE ka vendosur për Shqipërinë janë të qarta: zbatimi i reformës në drejtësi dhe vettingu; lufta kundër drogës dhe krimit; lufta kundër korrupsionit; reforma e administratës publike; dhe respektimi i të drejtave themelore të njeriut” ka reaguar Basha.

Në profilin e tij në Facebook, kreu i opozitës ka nënvizuar se, mbështet pa asnjë kusht përpjekjet për përmbushjen e secilit prej këtyre kritereve.  “Ne mbështesim pa asnjë rezervë zhbllokimin e menjëhershëm të reformës në drejtësi dhe krijimin e KLP-së për t’i hapur rrugën krijimit të SPAK-ut dhe të Byrosë së Hetimit, si dhe zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm në mënyrë kushtetuese, pasi të ketë kaluar vettingun me tre të pestat e Kuvendit”, ka thënë më tej Basha.

Por disa orë më pas ka reaguar sërish kryeministri Edi Rama në me një status në Facebook. Shefi i qeverisë e cilëson si rifillim të avazit të vjetër refuzimin e Partisë Demokratike. “Rifilloi avazi!Jo ne, po edhe SHBA/BE e kanë gabim! Dhe prapë s’duan as dialog kur u thua votat ne i kemi po duam zgjidhje të përbashkët. Sdoqoftë unë e përsëris ftesën për dialog dhe zgjidhje të përbashkëta, aq më tepër në këtë fazë vendimtare të rrugëtimit të vendit drejt çeljes së negociatave për anëtarësim, kur Shqipëria duhet të fitojë mbi partitë e mbi çdo interes apo frikë të njërit ose tjetrit” shkruan Rama. Më herë nga Bullgaria në një deklaratë për mediat Rama u shpreh se shumica i ka votat për të zgjedhur kryeprokurorin e ri të përkohshëm, por kërkon konsensus me opozitën, që gjë Basha e refuzoi. 

SHBA dhe BE përmes ambasadave në Shqipëri kanë kërkuar që Kuvendi të nisë procedurat për prokurorin e ri që duhet të jetë i përkohshëm, pasi sipas tyre mandati i Llallës nuk mund të zgjatet. E pikërisht sot, Komisioni i Ligjeve vetëm me votat e shumicës ka miratuar projektvendimin që i hap rrugë procesit për zgjedhjen e prokurorit të ri të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë. Opozita e ka kundërshtuar duke u larguar nga komisioni, por shumica hapi procesin duke u bërë thirrje prokurorëve që të aplikojnë, ndërsa parashikojnë që brenda 30 ditëve të zgjedhin pasuesin e Llallës.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?