Lulzim Basha dhe Edi Rama

Politikë

Basha merr mandatin e tretë në krye të PD-së, Patozi: Në Shqipëri të gjithë fitojnë pastër

14 Qershor 2021, 16:38| Përditesimi: 14 Qershor 2021, 16:45

  • Share

TIRANË- Ish-kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka komentuar me ironi fitoren e mandatit të tretë të Lulzim Bashës.

Ai shkruan se "në Shqipëri të gjithë fitojnë pastër", referuar këtu fitoreve të Lulzim Bashës, por edhe të Edi Ramës në 25 prill.

"Në Shqipëri të gjithë fitojnë pastër. Edi Rama fiton pastër me Lulin, megjithëse për dikë kjo quhet masakër zgjedhore ose inxhinjeri manipulimi.  Basha, po ashtu, i mund pastër rivalët e vet në PD, ndonëse kjo konsiderohet si maskaradë zgjedhore. Por edhe "të mundurit" e tij do të fitonin thellë me ndjekësit e tyre në FB, gjithmonë, nëse do të ishin vetëm ata që do të votonin.

Ndërkohë që secili prej këtyre të fundit ndjehet pa asnjë dyshim Zot, kur shkon në shtëpinë e vet, sepse e vë në rresht gruan bashkë me fëmijët, në shumicën e rasteve pa asnjë kontestim rezultati. Rëndësi ka pjesëmarrja çuna, se të tjerat rregullohen. Nuk prishemi asnjëherë për termat. Fituesit le të flasin për demokraci funksionale, ndërsa të mundurit janë të lirë të ankohen për autokraci, madje edhe për diktaturë, po nuk u mjaftoi llogaria. Puna është si të shtyhen ditët deri në zgjedhjet e tjera, secili sipas rangut, mjafton që të kesh dikë poshtë vetes", shkruan Patozi.

Lulzim Basha u shpall zyrtarisht fituesi i zgjedhjeve të 13 qershorit në PD duke marrë një mandat të tretë për drejtimin e partisë për 4 vitet e ardhshme. Ai mori 32,882 vota ose mbi 80% të votave, teksa pas tij më i votuari ishte Agron Shehaj, me 6038 vota, e treta ishte Edit Harxhi me 983 vota, ndërsa i fundit në renditje nga numri i votave të siguruara u rendit Fatbardh Kadilli i votuar nga 781 anëtarë.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?