Basha: Do krijojmë një agjenci mbi gjithë të tjerat për pronën! Do të bëjë kontrollin antikorrupsion, çështjet e abuzimit do adresohen në SPAK

28 Shkurt 2021, 10:12| Përditesimi: 28 Shkurt 2021, 10:21

  • Share

1614501657_basha6.jpg

Kreu i PD Lulzim Basha gjatë prezantimit të programit të pronave, ka deklaruar se PD do t’i japë fund abuzimit me pronën në favor të një investimi publik. Mes të tjerash Basha tha se do të krijohet një agjencie ombrellë që përfshin të gjitha agjencitë që kanë në fokus pronën private, e cila sipas tij do të bëjë dhe kontrollin antikorrupsion.

“Ashtu si për çdo fushë tjetër edhe në këtë fushë qytetarët shqiptarë përballen me sorollatje nga një zyrë në tjetrën me arrogancën e pushtetin, me mungesën e koordinimit ndër institucional, me mohimin flagrant dhe harbut të së drejtës elementare të informimit dhe me korrupsionin në çdo nivel të administratës ku përballen për të zgjidhur çështjet e tyre të pronësisë. Me reformën tonë të derregullimit do t’i japim fund një situate paradoksale.

Mbi një mijë zyrtarë të shtetit mbajnë në xhep vula dhe kanë të drejtën e firmës për gjithçka që ka të bëjë me jetën e shqiptarit, që nga momenti që del nga shtëpia deri në momentin kur hyn në shtëpi, madje edhe brenda shtëpive të tyre.

Ne do ti japim fund sorollatjes të qytetarëve nëpër zyrat e shtetit, në kërkim të të drejtave të tyre legjitime të pronësisë të cilat shteti as nuk mund t’i tjetërsojë, as t’i fshehë, as t’i dhunojë, por ka detyrën ti garantojë. Në fokus do të jetë koordinimi i institucioneve shtetërore që merren me pronën si dhe thjeshtësimi në përputhje me praktikat më të avancuara Europiane i procedurave në lidhje me çështjet e pronës dhe reduktimi me qëllim zhdukjen e nivelit galoponte të korrupsionit që është një nga motivet kryesore pse kemi mbërritur në këtë pikë.

Krijimi i një agjencie ombrellë që përfshin të gjitha agjencitë që kanë në fokus pronën private dhe publike dhe kontrolli antikorrupsion brenda kësaj agjencie, adresimi i çështjeve të abuzimit me pronën në SPAK duke e kthyer tek pronari i ligjshëm, janë prioritete të qeverisjes tonë të ardhshme. Dua ta mbyll duke ju garantuar të gjithë pronarët e shpronësuar, gjithë pronarët e ligjshëm, shoqatat e pronarëve se Partia Demokratike do të bashkëpunojë ngushtësisht me ju dhe me përfaqësuesit tuaj në zbatimin e këtij programi politik, në hartimin e masave dhe vendimeve që kanë lidhje me çështjet e pronësisë duke e mbajtur të informuar njëri-tjetrin me një dialog të vazhdueshëm për çdo iniciativë që do të ndërmarrim deri në zgjidhjen përfundimtare sipas angazhimeve të sipërpërmendura të cilat i keni edhe më të detajuara në programin e hartuar nga grupi ynë i ekspertëve në bashkëpunim me përfaqësuesit e shoqatave të pronarëve”, tha Basha.


Lajmi kryesor:

Basha: Pas 25 prillit do hartojmë ligj të ri për pronën! Do krijojmë agjenci ombrellë për zhdukjen e korrupsionit, abuzimet do adresohen në SPAK (VIDEO)


  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?