Reforma Zgjedhore, OSBE takim me Bardhin: Asistojmë për reformë gjithpërfshirëse! Deputeti: Farsa e rifillimit të punës, një tallje! Rama s’na lejon të përfaqësohemi

17 Janar, 18:01| Përditesimi: 17 Janar, 22:05

  • Share

OSBE/ ODIHR edhe një herë ka theksuar gatishmërinë se është e gatshme për të asistuar një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. 

Mesazhi u përcoll edhe nga kryesuesja e misionit të OSBE përmes një postimi në rrjetet sociale, pasi përmbylli ciklin e takimeve me bashkëkryetarët e reformës zgjedhore, Damian Gjiknurin e Enkelejd Alibeajn dhe këtë të mërkurë, edhe me Gazment Bardhin.

"Pata një takim të zgjeruar me deputetët e opozitës, Gazment Bardhi, Fatmir Mediu, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili për të diskutuar reformën zgjedhore & zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.  OSBE është gati të asistojë një proces reforme në kohë & gjithëpërfshirës"- shkruan shefja e OSBE në rrjetin social ‘X’.

Bardhi, i cili kundërshton përfaqësimin e opozitës me Enkelejd Alibeajn në tryezën e reformës zgjedhore tha se ia bëri të qartë përfaqësuesve të OSBE, se rinisja e punës është farsë.

“Për opozitën është një tallje e madhe me shqiptarët farsa e “rifillimit të punës” vetëm nga mazhoranca, pa respektuar vullnetin e opozitës, duke ripërsëritur gjërat që u bënë njëherë si farsë edhe 2 vite më parë. Që reforma të jetë konsensuale, gjithëpërfshirëse dhe të adresojë problemet reale të zgjedhjeve, është e nevojshme që përfaqësuesit e opozitës të kenë besimin e deputetëve të opozitës, dhe jo të jenë aty si shprehje e vullnetit të Edi Ramës apo një minorance që ka mandate nga populli opozitar, por vepron e shkëputur nga interesi i popullit opozitar.”- shprehet Bardhi.

Takimi erdhi pas përplasjes në komisionin e Medias, ku Bardhi dhe Noka i hoqën mikrofonit koleges së tyre Flutura Açka, njëkohësisht kryetare të këtij komisioni. Një ditë më parë përfaqësuesit e OSBE/ODIHR u takuan edhe me Damian Gjiknurin e Enkelejd Alibeajn. Këta të fundit, pas thuajse dy vitesh, rimbledhin komisionin e Reformës zgjedhore të premten në orën 11:00. 

 

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?