Lojtari i Barcelonës, Lionel Messi

Barcelona nis mbrojtjen e titullit, në Angli derbi Chelsea-Arsenal

18 Gusht 2018, 11:10| Përditesimi: 18 Gusht 2018, 11:20

  • Share

Ka startuar edhe kampionati spanjoll, ku ditën e parë zbritën në fushë katër skuadra, Girona-Valladolid përfundoi pa gola, ndërsa Levante e Armando Sadikut fitoi 3-0 në transfertë me Betis Sevilla. Sot në fushë zbret Barcelona, që do të fillojë mbrojtjen e titullit kundër Deportivo Alaves në “Camp Nou”, në orën 22:15. Pasi fitoi La Ligan dhe Kupën e Mbretit në edicionin e kaluar, Barça mbetet sërish pretendente, sidomos pas largimit të Cristiano Ronaldo nga Real Madridi. Barcelona vetëm pak ditë më parë fitoi edhe Superkupën e Spanjës, duke mundur Sevillan 2-1.

Messi është bërë futbollisti me më shumë trofe nga radhët e Barcelonës dhe sonte pritet të jetë në fushë nga minuta e parë, madje si kapiten, pas largimit të Iniestës në Japoni. Alaves i ka humbur katër përballjet e fundit me Barcelonën, që nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi gjatë gjithë sezonit të kaluar, duke fituar 16 dhe barazuar 3 prej tyre, me një mesatare 3.3 gola për ndeshje. Dita e sotme në Premier League sjell derbin londinez mes Chelsea dhe Arsenal. Blutë e Londrës, nën drejtimin e trajnerit italian Sarri, e nisën shumë mirë sezonin e ri në Premier League, duke fituar 3-0 në fushën e Huddersfield.

E kundërta për Arsenalin, që humbi 0-2 në shtëpi me kampionët e Manchester City. Një start me humbje për trajnerin e ri Unai Emery, që sot kërkon të paktën të mos dalë i humbur nga “Stamford Bridge”. Në sezonin e kaluar Arsenal mori vetëm 10 pikë në 10 ndeshje kundër pesë vendeve të para të klasifikimit, me vetëm një fitore. Ndërsa Chelsea ka fituar pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Arsenalit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?