Barcelona ka vënë një rekord të ri në kampionatin spanjoll. Katalanasit ka lënë pas shpine eliminimin e hidhur ndaj Roma në çerekfinalet e Champions League dhe prek me njërën dorë titullin në La Liga, pasi ka fituar 2-1 ndaj Valencia në “Camp Nou”.
Kur u mbush çerekore lojë, katalanasit kaluan në avantazh me anë të Luis Suarez. Sulmuesi nga Uruguaji tundi rrjetën, pas pasimit “të artë” nga Coutinho, duke realizuar golin e tij të 10-të kundër Valencias, të cilës i ka shënuar më shumë se çdo ekipi tjetër. Ky ishte goli i 23-të i Suarez në këtë kampionat, aq sa Cristiano Ronaldo, gjashtë më pak se Messi.
Sapo nisi pjesa e dytë, Samuel Umtiti shënoi golin e dytë për Barcelona, sërish nga një krosim i Coutinho, ndërsa përgjigja e Valencia, vendi i tretë në La Liga, e gjeti golin e nderit me penallti, katër minuta para fundit, pas faullit të shkaktuar nga Ousmane Dembele.
Penalltinë e ktheu në gol Dani Parejo. Kur mbeten edhe gjashtë javë nga fundi, Barcelona ka 14 pikë më shumë se Atletico Madrid e vendit të dytë, që nesër do të presë Levante. Barcelona theu rekordin në La Liga me 39 ndeshje pa humbje, rekord që ishte vënë në vitin 1980 nga Real Sociedad.