Tiranë/ Pallati gjysmë i rrënuar nga tërmeti kthehet në strehë për përdoruesit e drogës, ankohen banorët: Shteti ta shembë

29 Qershor 2023, 14:10| Përditesimi: 29 Qershor 2023, 15:36

  • Share

31 vjeçarja e cila ndërroi jetë një ditë më parë nga mbidoza e lëndëve narkotike, është gjetur pikërisht në një pallat gërmadhë në rrugën Vangjel Capo, pranë shkollës Bajram Curri në zonën e Alliasit.

Jo vetëm nga e ndjera, por pallati i pa banueshëm, po shfrytëzohet nga shumë përdorues të lëndëve narkotike. Për banorët, kjo situatë është kthyer në një shqetësim mjaft serioz, pasi përveç shfrytëzimit nga njerëz të varur nga drogërat, ata prishin edhe qetësinë publike e sidomos gjatë natës.

Banorët thonë se kanë bërë dhe një peticion si dhe kanë kërkuar në bashki që pallati të shembet plotësisht edhe për arsye se rrezikon jetën e njerëzve pasi mund të shembet. Frikë të madhe kanë edhe për fëmijët të cilët herë pas here hyjnë brenda në pallat për të lozur, gjë e cila mund të sjelle edhe rrezikun e marrjes nga ata një infeksion, pasi vendi është i mbushur plot me mbetje dhe shiringa të cilat përdoren për të marrë lëndën narkotike.

Pallati është në këtë gjendje prej më shumë se një viti. Ai është dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, dhe është shpallur i pa banueshëm. Kësisoj është ndërhyrë me shembjen e një pjesë mjaft të madhe të pallatit, por një pjesë e tij ka mbetur i pa prekur dhe shkak është bërë kabina elektrike që ndodhet në katin e parë të tij. Ende nuk është gjetur një zgjidhje për këtë kabinë, e cila nuk furnizonte me energji vetëm pallatin por të gjithë zonën. Përveç OSHEE-së, nuk mund të ndërhyjë asnjë institucion tjetër për zhvendosjen e saj.

Banorët e këtij pallati janë akomoduar tek zona e rindërtuar tek 5 maji dhe një pjesë janë ende me bonus qiraje.  Kjo zonë është planifikuar që të kthehet në një zonë rekreative për zonën.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?