Rruga me një sens/ Banorët e Rinasit sërish në protestë! S'çojnë fëmijët në shkollë, bashkë me ta marshuan dhe bllokuan rrugën për rreth 2 orë: Rrugicat alternative të pa aksesueshme

4 Maj 2022, 10:10| Përditesimi: 5 Maj 2022, 09:07

  • Share

Deklaratat e Autoritetit Rrugor një ditë më parë, për të ndjekur rrugicat e lagjeve për të lëvizur, në një kohë që rruga e Rinasit është kthyer me një sens, nuk ka bindur banorët të cilët protesuan sot për të tretën ditë me radhë.

Fëmijët e shkollës “Rexhë Deliu” në fshatin Rinas nuk shkuan në shkollë, por ju bashkuan protestës me prindërit e tyre, të cilët një ditë më parë kishin paralajmëruar se nuk do ti dërgonin në shkollë.  Duke bllokuar për dy orë aksin nga Rinasi drejt Fushë-Krujës ata kërkuan rikthimin e lëvizjes siç ishte me dy sense.

Me thirrje 'hapni rrugën', 'duam shkollë', ata u nisën në marshim në këmbë drejt shkollës, teksa kërkuan që aksi të jetë i kalueshëm me dy sense, pasi në të kundërt duhet të bëjnë shumë më shumë kilometra për të  kryer aktivitetet e tyre të përditshme. Sipas tyre, rrugicat që u rekomandoi ARRSH nuk janë të akesueshme.

Ata deklarojnë se kanë shumë vështirësi për dërgimin e fëmijëve në shkollë, asnë këmbë, pasi do të duhej të përshkruajnë 200 metra rrugë kundravajtje. Prindërit ankohen se as furgoni i shkollës private nuk shkon t'i marrë më fëmijët sepse i është shtuar kostoja.

"Nuk na bind deklarata e ARRSH. Të vijnë këtu ata dhe ta shohin sa kalohet te rrugët e lagjeve. Ne duam të hapet rruga siç ishte", thotë një nga banorët.

“Nuk kërkojmë luks, kërkojmë të lëvizim brenda për brenda fshatit. Duam të çojmë fëmijët në shkollë, nuk shkojmë dot. Çdo ditë do dalim në rrugë deri sa të na gjejnë zgjidhje. Nuk shkojmë dot tek tokat tona, prindërit tonë nuk shkojnë dot të bëjnë një gjilpërë në ambulancë. Kërkojmë të lëvizim brenda për brenda fshatit”, shprehet një tjetër.

Janë 260 shtëpi që preken nga bllokimi i rrugës, ndërsa 130 fëmijë duhet të përshkojnë një rrugë shumë të gjatë për të shkuar në shkollë. Banorët kërkojnë që rruga të rikthehet siç ishte, pasi është një kosto shumë e lartë për jetën e tyre të përditshme.

Kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, në një përgjigje dje ndaj ankesave të banorëve, tha se ata mund të përdorin rrugicat alternative në zonë, që komuniteti i njeh mirë. Zgjidhja përfundimtare, sipas Berberit do të jetë në fund të sezonit turistik, pasi do hapet tenderi për ndërtimin e një rrugë alternative.

ARRSH ka vendosur që për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq. Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport. Rruga e njohur si ‘Ura e Hajdutëve’ që të lidh me Kamzën është bërë me një sens lëvizje dhe banorët e asaj zone, për të shkuar në autostradë, nuk kalojnë dot aty. Ata duhet të shkojnë tek Ura e Gjolës, më pas tek Fushë Preza dhe për të kaluar më pas tek rrethrrotullimi i Vorës për të marrë aksin e autostradës.

Ora 14:51
Prindërit i morën në protestën e Rinasit, ministrja e Arsimit: Mos privoni fëmijët nga e drejta për mësim

Në ditën e tretë të protestës së banorëve të Rinasit, një pjesë e prindërve kishin marrë me vete edhe fëmijët, për pasojë nuk kanë shkuar në shkollë. Lidhur me këtë ka reaguar ministria e Arsimit, Evis Kushi, i cila tha se fëmijëve nuk duhet t’i privohet e drejta e tyre themelore për arsim.

“Jam njoftuar sot nga strukturat tona arsimore në shkollën 9-vjeçare “Rexhë Deliu” në Rinas që pjesa më e madhe e prindërve nuk i kanë sjellë sot fëmijët e tyre në mësim.

Të dashur prindër, duke vlerësuar të drejtën për të protestuar të çdo qytetari në një shoqëri demokratike, ju lutem që të mos i privoni fëmijët nga e drejta e tyre themelore për arsimim. Çdo orë mësimi ka vlerë për fëmijët tanë, prandaj duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj kam besim që nesër mësimi do të vijojë normalisht edhe në këtë shkollë.”, shkruan ministrja.

Ora 11:31
Mësuesi në protestë: 90% e fëmijëve nuk erdhën në shkollë! Unë bëra 30 km për të ardhur këtu

 

Një mësues, i cili ishte pjesë e protestës për shkak të vendimit të ARRSH ka thënë se 90% e fëmijëve nuk ishin sot në shkollë. Vetë ai ka bërë 30 km për të shkuar në shkollë, ndërsa më parë e bënte rrugën për 8 km.

"Këtu është e cuditshme se ky aks rrugor nuk ka pasur trafik që të bëhet gjithë ky bllokim rruge, ndaj nuk e di përse kanë bërë këtë zgjidhje. Duhet ta mendojnë mirë edhe për komunitetin, edhe për fëmijët, edhe për ne si mësues dhe për të gjithë. 90% e fëmijëve nuk kanë qenë sot pjesë të shkollës. Ne i kemi rënë rrugës rreth e rrotull se nuk ka rrugë tjetër. Unë vij nga Fushë Kruja, duhet të dal në Vorë, nga Vora në Qafë Kashari dhe më pas këtu. Nga Fushë Kruja deri këtu janë 8 km, duhet të bëjmë 30 km", tha mësuesi.

Ora 11:26
ARRSH u kërkoi që të përdorin rrugë alternative, banorët e Rinasit: Vetëm 10 familje mund t’i aksesojnë, janë të pakalueshme

Një banorë i Rinasit u shpreh se nuk janë dakord me vendimin e ARRSH-së që të ndjekin rrugë alternative. Kjo pasi sipas tyre janë rrugë që vetëm 10 familje mund të futen aty.

‘Ai duhet të vijë këtu dhe jo të flasë në Tiranë. Na thonë neve që të futemi nëpër biruca. Hajde shkojmë dhe e shohim rrugën vetëm 10 familje mund të futen aty. Ne nuk do të tolerojmë asgjë. Kjo është zgjidhja jonë e fundit.'- tha një banor.

Kryeplaku i fshatit Saba Muja tha për Report Tv se duhet të marrë sa më shpejt zgjidhje dhe sipas tij kërkesat janë shumë të realizueshme.

‘Ajo rrugë nuk ka komunikim. Nuk jemi komunitet që se duam shkollën. Komunikimi ka qenë me telefon, por këtu nuk kanë ardhur. Një apel kam për qeverisë. Sa më shpejt zgjidhja aq më e mirë. Nuk jemi komunitet që kërkojmë favore të mëdha. Kërkesat tona janë shumë të realizueshme janë jetike për të gjithë banorët. Për të gjithë.’- tha Muja.

Ora 11:05
Banorët e Rinasit në protestë, deputetja Andia Ulliri kërkesë Kuvendit dhe ARRSH-së për informacion: Të rishikohet vendimi

Deputetja e Partisë Demokratike Andia Ulliri, e cila ka dalë në mbështetje të protestës së banorëve të Rinasit, thotë se ka dorëzuar në Kuvend një shkresë për informacion drejtuar ARRSH-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë mbi vendimin e lëvizjes me një sens në aksin Qafë-Kashar- Rrethrrotullimi Nënë Tereza - Ahmetaq.

‘Sot kam dorëzuar në Kuvend shkresën për kërkesë informacioni drejtuar ARRSH dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë mbi vendimin e lëvizjes me një sens në aksin Qafë-Kashar- Rrethrrotullimi Nënë Tereza - Ahmetaq. Kërkesa e banorëve vazhdon të jetë e njëjtë. Rishikim të vendimit ku banorët e Rinasit nuk do të penalizohen dhe izolohen në sajë të lëvizjes në një sens drejtimi.’- bëri me dije ajo.

Ora 10:45
Protesta, banorët e Rinasit nisen me fëmijët e tyre në këmbë drejt shkollës

 

Banorët e Rinasit, bashkë me fëmijët e tyre, janë nisur këmbë drejt shkollës, duke bllokuar rrugën për qarkullimin e mjeteve. Ata shprehen se kanë të pamundur dërgimin e fëmijëve në shkollë për shkak të vendimit të ARRSH për kthimin e rrugës vetëm me një sens lëvizje.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kasem Gahinji: 05/05/2022 10:16

    Asnje femijet ne shkolle.Te solidarizohen Edhe te tjere.Te gjithe ne plazh.Turizmi eshte ne krize.ne fund te fundit,CNA duhet shkolla?

    Përgjigju
  • Vlora: 04/05/2022 20:44

    Shtet maskara,,,te kthehet levizja sic ishte me dy kahe....

    Përgjigju
  • Ketu nuk jetohet: 04/05/2022 19:00

    Dilni perdite bllokoni rrugen jo nga 2 ore por gjithe diten. Neser me keni dhe mua aty. Asnjehere nuk eshte blloku rruga e Rinasit ka me shume se 17 vjet qe eshte po ajo rruge sot na dolen keta thone po lirojm trafikun

    Përgjigju
  • Gui: 04/05/2022 15:58

    Fare e keqe asnje rruge asnje te drejte te ikin ne anadoll

    Përgjigju
    • Partia: 04/05/2022 17:18

      Ty të rrojë partia, ç'të plasi se ato bëjnë 24 km per te ble nje bukë.

  • popa: 04/05/2022 15:51

    nuk po dine me se si t'ja masakrojne jeten ketij populli...del dhe kjo sharabajka dhe te jep mend ! ti moj zonje nga kina i con femijet e tu ne shkolle ?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?